Maloku komenton deklaratat e Osmanit për ndërprerje të dialogut nëse pezullohet vendimi për viza

Aktuale

Maloku komenton deklaratat e Osmanit për ndërprerje të dialogut nëse pezullohet vendimi për viza

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 08:27
Albinot Maloku

Deklarimet e presidentes Vjosa Osmani, se nëse ndodh pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, “do ta vriste një herë e përgjithmonë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, nga politologu Albinot Maloku, po konsiderohet se janë në kundërshtim me synimin kryesor të Kosovës që është integrimi në Bashkimin Evropian.

Maloku ka thënë se kjo deklaratë në situatën aktuale është e dëmshme për vendin dhe se Kosova nuk është në pozicion për të kërcënuar me ndërprerje të dialogut.

Maloku shtoi se deklarata e presidentes Osmani është në kundërshtim edhe me frymën që ajo pretendon që e ndjek, të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Deklarata e presidentes Osmani Sadriu është në shpërputhje totale me frymën që e pretendon se e ndjek të njeriut të flamurit të cilit e mban edhe në zyre. Në këtë rrafsh konsiderojë që nuk ka qenë deklaratë e duhur për momentin sa do të ishte e mirë që presidentja Osmani tregonte gatishmëri që ekziston në Kosovë në raport me jetësimin e planit franko-gjerman. Kjo do të kishte mundur të jetë një përqasje shumë më diplomatike, shumë më përafruese dhe integruese paralelisht të saj me Republikën e Kosovës me vendet e BE-së”, tha ai.

Maloku ka theksuar se një deklaratë e tillë e dëmton pozicionin e Kosovës, dhe thotë se vendi nuk është në pozicionin që të kërcënojë me këto deklarata, por duhet që të gjejë alternativa të cilat hapin perspektivë për vendin.

“Qasja e presidentes Osmani-Sadriu përmes kësaj deklarate është në shpërputhje me synimin thelbësor të Kosovës, të krijimit të raporteve më të mira diplomatike, ndërkombëtare me vendet mike, por edhe ato që pretendojnë të jenë vende mike të Kosovës. Si e tillë kjo deklaratë gjithsesi që dëmton pozicioni edhe ashtu të dëmtuar ndërkombëtarisht të Kosovës dhe e konsideroj dhe e gjykoj që ka qenë e pa vend ta ketë këtë të ashtuquajtur kërcenim për faktin që pozicioni i Kosovës nuk është për të kërcënuar por për të gjetur alternativa bashkëpunimi, alternativa të cilat i hapin asaj  perspektive. Sidomos alternativa të cilat shkojnë në përputhje me synimet integruese të Kosovës që vetë qeveria, vetë presidenca gjithmonë i prezanton që janë integrimi në BE”, tha ai.

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu i ka bërë këto deklarata të martën, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat