Arrestohet ‘këngëtari’ Nuredin Gashi - Drenica, për gjuhën kërcënuese e përkrahëse ndaj deklaratave për vrasjen e Albin Kurtit

Aktuale

Arrestohet ‘këngëtari’ Nuredin Gashi - Drenica, për gjuhën kërcënuese e përkrahëse ndaj deklaratave për vrasjen e Albin Kurtit

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 16:15
Hashim Thaçi, Nuredin Gashi dhe Sami Lushtaku

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme këngëtarin popullor Nuredin Gashi.

Burime brenda Policisë së Kosovës tregojnë se arrestimi i këtij personi, që paraqitet si këngëtar, ka ardhur pasi ai mbrëmë në një paraqitje televizive ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe përkrahje për deklaratën e Faton Klinakut, ku përmendej vrasja e kryeministrit Albin Kurti.

Me urdhër të prokurorit Nuredin Gashi është dërguar në paraburgim prej 48 orësh.

Përkrahësi i Faton Klinakut, Nuredin Gashi, që në rrjetet sociale paraqitet si Nuredin Drenica njihet si mbështetës i zjarrtë i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar mbrëmë se çdo person i cili kryen veprime, sipas tij, të këqija sikurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duhet të vritet.

Në një lidhje direkte në“Debat Plus”, Gashi ka komentuar deklaratën e Faton Klinakut gjersa quajti tradhtar Kurtin dhe subjektin politik të tij.

“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, ka deklaruar ai.

Ky person që paraqitet edhe si këngëtar edhe më parë ka përdorë gjuhë kërcënuese ndaj kryeministrit Albin Kurti, madje edhe në këngët e tij bën thirrje për vrasje.

Nuredin Gashi njihet edhe si përkrahës i flakët i krerëve të PDK-së dhe ka publikuar e publikon fotografi me drejtues të kësaj partie.

Ndryshe, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar nga policia lidhur me deklaratën e tij për kryeministrin Albin Kurti, e cila u vlerësua si kërcënim ndaj tij, pasi përmendej edhe vrasja.

Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku, ndër të tjera, ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta si nga politika ashtu edhe nga shoqëria civile, duke e quajtur si të pa pranueshme mbjelljen e urrejtjes dhe në një mënyrë edhe thirrje për vrasje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat