Edhe katër ditë shtesë për Udhëzimin administrativ për peticionin

Aktuale

Edhe katër ditë shtesë për Udhëzimin administrativ për peticionin

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 17:34
Një grua duke votuar në një qendër votimi në pjesën veriore të Kosovës më 17 tetor 2021.

Grupit punues për hartimin e Udhëzimit administrativ që u mundëson qytetarëve të komunave të Kosovës shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, i nevojiten edhe tre apo katër ditë për përfundimin e draftit përfundimtar të këtij udhëzimi.

Kështu kanë deklaruar të enjten, më 31 gusht, zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të Qeverisë së Kosovës.

Më herët zyrtarët e kësaj ministrie patën deklaruar se grupi punues për hartimin e Udhëzimit administrativ do ta përfundonte punën më 31 gusht, në mënyrë që ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ta nënshkruante atë më 1 shtator.

Besim Murtezani, zëvendësudhëheqës i Departamentit ligjor dhe monitorimit të komunave në kuadër të MAPL-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se në diskutimin publik lidhur me draftin e udhëzimit administrativ, i cili ka nisur më 26 dhe ka zgjatur deri më 31 gusht, janë pranuar një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh.

“Ne kemi punuar sot dhe i kemi inkorporuar shumicën e vërejtjeve dhe sugjerimeve. Na ka mbetur. Na kanë mbetur edhe pak vërejtje që t’i inkorporojmë dhe të bëjmë gati draftin final, në mënyrë që ta procedojmë te ministri (Krasniqi) për nënshkrim”, theksoi Murtezani.

Ai shtoi se lidhur me nevojën për kohën shtesë, për finalizimin e draftit përfundimtar, e kanë informuar ministrin Krasniqi, por edhe gjithë aktorët tjerë të përfshirë në këtë proces.

Siç theksoi ai, drafti përfundimtar do të jetë gati ditën e martë, më 5 shtator dhe ai menjëherë do t’i procedohet ministrit Krasniqi, për ta nënshkruar.

Më herët, ministri Krasniqi ka deklaruar se udhëzimi administrative do të jetë gati më 1 shtator.

Një dokument i tillë vjen në kohën kur Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto komuna aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.

Ata kanë dalë nga zgjedhjet e prillit, të cilat janë bojkotuar nga popullata shumicë serbe.

Rregullat procedurale thonë se pas nënshkrimit të Udhëzimit administrativ nga ministri, do të duhen shtatë ditë që, pas daljes në Gazetën Zyrtare, të hyjë në fuqi.

Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta iniciojnë menjëherë peticionin për largimin e kryetarëve aktualë të atyre komunave.

Në rast se nëse arrihet mbledhja e 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga iniciuesit e peticionit, atëherë Komisioni Qendror i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet e votuesve dhe organizon votimin në komunën ose komunat që kanë iniciuar peticion.

Për shkarkimin e kryetarit të një komune nevojiten 50 për qind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të komunës përkatëse.

Në rast se rezultati i votimit kërkon shkarkimin e kryetarëve, atëherë ai i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Ndonëse dorëheqja eventuale e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës do t’i përshpejtonte procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se nuk do t’ua kërkojnë këtë gjë kryetarëve aktualë.

Sipas tyre, zgjedhjet në këto komuna mund të mbahen vetëm pas shkarkimit të kryetarëve aktualë përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të secilës prej këtyre komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat