Nuredin “Drenica” ishte ndaluar edhe më parë për kërcënime ndaj kryeministrit Kurtit

Aktuale

Nuredin “Drenica” ishte ndaluar edhe më parë për kërcënime ndaj kryeministrit Kurtit

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 20:01
Nuredin Gashi

Policia e Kosovës sot e ka marrë në pyetje rapsodin e njohur shqiptar nga Drenasi, Nuredin Gashi i njohur si “Nur Drenica”.

Ai është intervistuar për shkak se e përkrahu deklaratën e kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ku u përmend vrasja e kryeministrit Albin Kurti.

Gashi mbrëmë në një lidhje direkte në “Debat Plus”, komentoi deklaratën e Faton Klinakut gjersa e quajti tradhtar kryeministrin Kurtin dhe subjektin e tij politik.

“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, kishte deklaruar ai.

Ndaj tij, prokurori ka vendosur masën e paraburgimit prej 48 orësh.

Por, “Nur Drenica” nuk është hera e parë që ballafaqohet me organet e rendit.

Në gusht të vitit 2020, ai ishte ndaluar nga Policia e Kosovës pikërisht për shkak se shihej si kërcënues për asokohe ish-kryeministrin Albin Kurti.

Për shkak të këngëve të tij me gjuhë dhune, u ndalua me të ardhur në Kosovë nga Suedia.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat