Nagavci në takim me përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës: Të monitorohet shitja e teksteve, të evitohen abuzimet me çmime

Aktuale

Nagavci në takim me përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës: Të monitorohet shitja e teksteve, të evitohen abuzimet me çmime

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 21:48
Foto nga takimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka takuar këtë të enjte përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës të kryesuar nga kryetarja e këtij institucioni, Neime Binaku Isufi, ku temë diskutimi ishte procesi i shitjes së teksteve shkollore.

Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar që në kuadër të kompetencave të saj si ministre, ky institucion të sigurohet që të mos ketë abuzim me çmimet e teksteve shkollore të cilat këtë vit do të blihen nga prindërit me mjetet që do të ndahen nga Qeveria.

“Gjatë këtij takimi morëm zotimin se Autoriteti i Konkurrrencës do të monitorojë me kujdes të shtuar tregun, përkatësisht procesin e shitblerjes së teksteve shkollore, sipas kompetencave ligjore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Tutje, ajo ka thënë se në rast të evidentimit të ndonjë veprimi që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të vë ministrinë në dijeni për procedurat e mëtutjeshme ligjore.

Ndërkohë gjatë ditës, Nagavci ka bërë të ditur se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të prindërve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht, për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues.

Ministrja ka njoftuar se numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat