Analisti bullgar nuk pret ndonjë rezultat nga takimi Kurti-Vuçiq: Politika serbomadhe vazhdon

Aktuale

Analisti bullgar nuk pret ndonjë rezultat nga takimi Kurti-Vuçiq: Politika serbomadhe vazhdon

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 13:44
Albanologu bullgar, Anton Panchev

Albanologu bullgar, Anton Panchev nuk pret që takimi i nivelit të lartë në Bruksel, i paralajmëruar për 14 shtator, të japë ndonjë rezultat. Ai thotë për KosovaPress se nuk pret normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në vitet në vijim. Kritika ka për Serbinë për të cilën thotë se ka aspirata serbomadhe.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit thotë se shkak për këtë është qasja serbomadhe e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut.

“Vështirë, shumë vështirë (të ketë ndonjë rezultat nga takimi në Bruksel). Nuk besoj se në vitet në vijim do të ketë ndonjë zgjidhje. Ndonjë çështje e rendit të përgjithshëm mund të ketë zgjidhje, mund të ketë normalizim, por nuk mund të ketë normalizim në fushën kryesore, në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës... Serbia ka një qasje serbomadhe jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës, ndaj Malit të Zi, ndaj Maqedonisë së Veriut. Jo rrallë Daçiqi dhe Vuçiqi e sulmojnë edhe Bullgarinë... Kjo është mënyra sesi sillet diplomacia serbe, në mënyrë agresive dhe brutale, që nuk është e pranueshme në shekullin e ri”, thotë Panchev.

Sipas tij, nuk duhet lejuar që agresiviteti serb të kalojë në rajon, pasi që siç thotë ai, kanosjet dhe rreziqet për Kosovën do të vazhdojnë.

“Kanosjet, rreziqet për Kosovën për fat të keq do të vazhdojnë të kenë vend në politikën serbe, sepse ky është thelbi i strategjisë serbe. Të ketë trazira në rajon, që të mos ketë pajtim. Të mos ketë normalizim dhe që të pengohet integrimi evropian i rajonit”, thotë ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh prej vitit 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat