Arifi: Pas liberalizimit të vizave, lëvizja e qytetarëve të Kosovës për në vendet e BE-së do të shtohet

Aktuale

Arifi: Pas liberalizimit të vizave, lëvizja e qytetarëve të Kosovës për në vendet e BE-së do të shtohet

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 10:23
Dritëro Arifi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë, se nga fillimi i vitit të ardhshëm lëvizja e qytetarëve nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian do të jetë më e madhe.

“Po, normalisht që pas liberalizimit të vizave do të ketë një lëvizje më të shtuar, po themi një frekuentim të qytetarëve kosovarë drejt Bashkimit Evropian. Normalisht njerëzit që vendosin të emigrojnë janë shumë faktorë dhe shumë arsye që ndikojnë për një vendim të tillë dhe duhet kuptuar që e para është gjithmonë ai elementi ekonomik se pse njerëzit emigrojnë, pra elementi ekonomik është baza, është siguria sociale e të tjera”, është shprehur Arifi.

Ndërsa, shton se emigrimi është fenomen global dhe nuk mund ta ndalë askush.

“Me liberalizimin e vizave normalisht pres një frekuentim më të shtuar dhe më të rritur të lëvizjes apo dëshirës për ta parë Evropën, por edhe nuk pres që do të ketë një impakt të madh në ikjen e njerëzve sepse emigrimi është një fenomen global dhe nuk mund të ndalet, pro mund të prodhojmë politika më të mira brenda vendit”, ka thënë ndër të tjera ai.

Profesori Arifi ka treguar edhe arsyet se përse të rinjtë po e lëshojnë vendin.

“Pra në momentin ku në një ambient paga është shumë e vogël për të mbuluar shpenzimet mujore atëherë njerëzit do të mundohen të gjejnë alternativa të tjera, pra që i bie emigrimi jashtë Kosovës dhe normalisht duke e ndërlidhur edhe me çështje të shëndetësisë, sociale  dhe të edukimit.  Njerëzit në Kosovë në një formë apo tjetër e kanë humbur besimin në këto shtylla kryesore që i suporton shteti dhe në një farë mënyre ky ndryshim i madh si rrjedhojë sjellë edhe vendimin më të lehtë për të emigruar nga Kosova”, ka shtuar Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat