Pas takimit me Begajn, presidentja Osmani deklarohet: Kosova po përballet me kërcënime nga Serbia, me Shqipërinë kemi qëllim të përbashkët

Aktuale

Pas takimit me Begajn, presidentja Osmani deklarohet: Kosova po përballet me kërcënime nga Serbia, me Shqipërinë kemi qëllim të përbashkët

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 13:08 më 04.09.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Begaj: Dialogu, rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon.

Ai foli edhe për dialogun, për të cilin u shpreh se është rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve.

“Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqimisht nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.

Begaj tutje bëri të ditur se me presidenten Osmani diskutuan edhe për procesin e njohjeve të Kosovës.

“E sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu. Sa i përketë procesit të njohjeve të Kosovës, ndamë mendimin se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të dy vendeve”, u shpreh tutje ai.

Osmani: Kosova po përballet me kërcënime nga Serbia, me Shqipërinë kemi qëllim të përbashkët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur sot se si asnjëherë më parë Kosova e pavarur po përballet me sfidën më të madhe, me kërcënime për sigurinë e kombit.

Në fjalën e saj, gjatë konferencës së përbashkët me homologun shqiptar, Bajram Begaj në Tiranë, Osmani tha se Serbia, është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut Kosovën.

“Kosova përballet me sfidën më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash”, tha Osmani.

E parë në këtë prizëm, ajo tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët, ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.

“Nuk kam asnjë dyshim që qëllimin e kemi të përbashkët, nëse ndonjëherë kemi ndryshim në strategji, duhet të ulemi si një familje, sepse ne jemi si një familje. Edhe ndonjë moment i vogël kalohet, pa ndonjë problem të madh”, tha Osmani.

Për rrjedhojë, ajo u kujdes që të theksonte se marrëdhëniet Kosovë Shqipëri janë shumë të mira.

Më tej, Osmani u shpreh se kryefjalë e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

“Shoh mikpritje dhe mbështetje të palëkundur ndaj Kosovës. Kjo mbështetje nuk ka munguar edhe në periudhat më të rënda dhe në periudhën e shtetformimit. Diskutuam për sfidat që na presin, të cilat do të duhet t’i kalojmë së bashku.

Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon. Ne kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ku Kosova nuk ka anëtarësim. Dua ta falënderoj presidentin Begaj për angazhimin e pashoq në arenën ndërkombëtare duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova ta ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar.

Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan 13 marrëveshje në fusha të ndryshme. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje që synojnë lehtësimin e jetesës së qytetarëve në të dyja shtetet”, tha Begaj. 

Begaj pas takimit me Osmanin: Askush s’ka pse çuditet se pse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dolën së bashku në një konferencë për media pas takimit në Tiranë.

Begaj tha se “marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira”, dhe se kanë biseduar për “nevojën e një koordinimi më të mirë për çështjen kombëtare”.

Theksova se duhet gjithmonë të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin”, tha ndër tjerash Begaj.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se “askush nuk ka pse çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë”.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, nënvizova se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon”, tha Begaj.

Begaj tha se me Osmanin kanë ndarë mendimin se për procesin e njohjeve të Kosovës, “është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të të dy vendeve”.

Vjosa Osmani mbërrin në Tiranë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni zyrtare në Tiranë nga homologu Bajram Begaj.

Pas ceremonisë në ambientet e Presidencës, Osmani do të takohet me homologun Bajram Begaj, ku do të mbajnë edhe një konferencë për mediat.

Osmani do të takohet edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeministrin Edi Rama.

Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.

Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Kjo është vizita e parë e presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj mori detyrën.

Presidentja Osmani sot fillon vizitën shtetërore në Shqipëri

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot fillon vizitën shtetërore dy ditore në Shqipëri, gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Begaj.

Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione. Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova”, njofton Presidenca.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Pas takimit, presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga kryeministri Rama. Presidentja po ashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në agjendën e presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Po ashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat