Berisha: Haradinaj të bisedojë me Krasniqin e Abdixhikun për rrëzimin e Qeverisë – kërkesa e Kurtit ndaj BE-së strategji mashtruese

Aktuale

Berisha: Haradinaj të bisedojë me Krasniqin e Abdixhikun për rrëzimin e Qeverisë – kërkesa e Kurtit ndaj BE-së strategji mashtruese

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 15:56
Hisen Berisha

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë, të cilin e sheh të qëlluar dhe ligjor, por që thotë se Haradinaj duhet të konsultohet me liderët e LDK-së e PDK-së dhe nëse i ka numrat të vazhdojnë tutje.

Mirëpo, sipas tij, nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë.

“Iniciativa e z.Haradinaj dhe e AAK-së është e qëlluar, ligjore, kushtetuese, por duhet të konsultohet me opozitën dhe t’i sigurojë numrat. Ne si opozitë nuk i kemi numrat për rrëzim me votë me kuvend. Në qoftë se supozohet se ka edhe në radhët e VV-së të tillë të pakënaqur, atëherë le të urdhërojë kryetari Haradinaj bashkë me kryetarët e dy partive opozitare LDK dhe PDK, le të ulen të bisedojnë, nëse e shohin se i kanë numrat, atëherë le të shkohet tutje, mirëpo jo të thuhet fjala sa për konsum ditor politik, të thuhet se ja unë e kam iniciativën. Po me sa vota don me e rrëzu? Unë s’e njoh matematikën por s’po ma nxjerr matematika se si. Në qoftë se ka nga radhët e tyre, atëherë urdhëro ulu me liderët e opozitës bisedoni dhe shkoni në opsionin”, thotë ai.

Sipas deputetit, partitë opozitare duhet t’i bashkohen moratoriumit të PDK-së sepse është i vetmi mjet me të cilin mund të shkohet në detyrimin e kësaj qeverie për të ardhur në një kompromis konsensual, teksa shton se ai po ashtu do ta detyronte presidenten që t’i mblidhe palët dhe të gjejë një kompromis e të shkohet me qeverisje gjithëpërfshirëse.

“Mirëpo, unë mendoj se të gjitha partitë duhet t’i bashkohen moratoriumit të PDK-së sepse është i vetmi mjet me të cilin mund të shkohet në detyrimin e kësaj qeverie për të ardhur në një kompromis konsensual sepse moratoriumi do të thotë bllokim i punës së parlamentit dhe është mjet juridik, është formë kushtetuese. Të gjitha format tjera ose do t’i krijojnë një kohë shtesë për të mbetur në pushtet zotit Kurtit, ose do të na çojnë në një dështim që më edhe të mos mund të përdorim detyrime juridike kundër kësaj qeverisje“.

“E, moratoriumi si i tillë e bjen një situatë që dorëzohet para fuqisë së opozitës. Ai duhet ta kuptojë se nuk është gjithmonë numri i votave ajo që e mban pushtetin por gjithmonë duhet bërë kompromise, është mekanizmi më i fortë parlamentar në të gjitha demokracitë e botës dhe unë mendoj se edhe në Kuvendin e Kosovës ky do të provojë ta gjejë. Moratoriumi si i tillë do ta detyronte këtë ose presidenten. Shihe, një kryeministër e ndal Kushtetuta që të shkojë në tradhti të vendit, të interesave të shtetit, e ndal Kushtetuta sepse është e ngurtë, mirëpo kush mund ta ndalë një presidente në qoftë se ajo nuk e zbaton Kushtetutën ashtu siç i kërkohet“.

“Ajo është mbi palët dhe duhet t’i afrojë ato, duhet ta gjejë një kompromis konsensual dhe të shkojmë me qeverisje gjithëpërfshirëse, e cila do ta shpëtonte situatën, d.m.th, i përmbush ato obligimet kontraktuale që i ka ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe që e kemi detyrim qeveritar, pastaj reformat në sistem të drejtësisë, reformën në sistem zgjedhor edhe ligjet që e ndalojnë të keqen në institucione, me njerëz që nuk kanë as përgjegjësi ndaj pozitës që bartin, pra ligji i lustracionit, dekreminalizimit, etj., janë ato që e shërojnë shoqërinë tonë dhe prej të cilave mund të ecim përpara”, vlerëson Berisha.

Sa i përket takimit Kurti-Vuçiq e dialogut, deputeti thotë se qeveria i ka krijuar mundësi serbëve që të pozicionohen drejtë, edhe pse s’kanë të drejtë.

“Absolutisht ajo po shihet se serbët janë të pozicionuar tash, ua ka dhënë shansin kjo qeveri që ata të pozicionohen drejt, edhe pse nuk kanë të drejtë, por në aparencë në raportet ndërkombëtare tani qëndrimet e tyre janë të përkrahura. Ata thonë se duhet krijuar kushte, sot kishin nxjerrë kushte taksative dhe me ato kushte normal që do të na sjellin në një pozitë që do të detyrohemi të ndërmarrim veprime të cilat e dëmtojnë procesin politik dhe integritetin politik të Kosovës”, thekson ai.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e VV-së që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës, Berisha thotë se është strategji mashtruese.

“Është një strategji retorike mashtruese që t’i thuhet BE-së ju hiqni masat sepse nuk shkohet tutje. BE i ka vendosur masat sepse këta e kanë penguar gjeostrategjinë, jo vetëm të SHBA-ve, siç e ka edhe z.Hovenier, por edhe të BE-së e rajonit. Kurse, sa i përket diplomacisë së BE-së, që në momentin që ka ardhur Lajçak dhe kjo qeveri në skenë nga 1 shtatori e deri më sot, kanë dështuar në procesin politik në Kosovë. Prandaj, s’ke çka pret prej BE-së përveç sanksioneve, por edhe sjellja kryeneçe e presidentes dhe ministres së jashtme në raport me z.Macron nuk i sjell gjë të mirë Kosovës”, deklaron deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat