Osmani nga Tirana flet për deklaratën e Macronit për vizat

Aktuale

Osmani nga Tirana flet për deklaratën e Macronit për vizat

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 21:39
Vjosa Osmani- Emanuel Macron

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se përgjigja e saj për Presidentin e Francës, Emanuel Macron, lidhur me liberalizimin e vizave, nuk është kërcënim, meqë Macron s’ka as dobi e as dëm nëse Kosova nuk merr pjesë në dialog.

Osmani ka thënë se është takuar disa herë me Macronin dhe se e njeh jashtëzakonisht mirë.

“Në radhë të parë, unë në asnjë moment nuk e vlerësoj si kërcënim, as në përmbajtje as në ton. Presidenti Macron nuk ka as ndonjë dobi, e as ndonjë dëm se a merr pjesë apo jo Kosova në dialog. Në mënyrë që të konsiderohej kërcënim ndaj tij, do të duhej ta spjegonin kritikët se ku qenka dobia e tij si president i Fraancës apo dëmi në raport me të, nëse Kosova s’merr pjesë në dialog. Mirëpo, unë e kam pas rastin ta takojë Presidentin Macron disa herë dhe mendoj që e njoh jashtëzakonisht mirë”, ka deklaruar Osmani në një intervistë me Grida Dumën, në Top Chanel.

Osmani ka thënë se Macron dhe aleatët tjerë të Kosovës presin nga liderët e vendit sinqeritet të plotë se çka mund të ndihmojë e çka mund ta dëmtojë dialogun.

“Në të gjitha takimet që i kam pasur me të, vlerësoj se ajo çka presidenti Macron por edhe gjithë aleatët tanë presin nga ne është sinqeriteti i plotë se çka mendojmë se mund ta ndihmojë dialogun dhe cka mendojmë se mund ta dëmtojë dialogun, si një proces nga i cili ka interes i gjithë rajoni jonë”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, më 30 gusht, Osmani ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat