Hyseni e quan gafë të rëndë politike reagimin e Osmanit ndaj deklaratës së Macronit

Aktuale

Hyseni e quan gafë të rëndë politike reagimin e Osmanit ndaj deklaratës së Macronit

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 21:41
Skënder Hyseni

Ish-diplomati kosovar, Skënder Hyseni e ka vlerësuar si gafë të rëndë politike, reagimin e deklaratës së presidentes Osmani, se nëse pezullohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, do të ishte vrasje e dialogut, Kosovë-Serbi.

Deklarata e  të parës së vendit ishte reagim ndaj asaj të presidentit të Francës, Emanuel Macron, ku tha së bashku me Gjermaninë kanë të gatshme masat ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse sillen në mënyrë të papërgjegjshme, në mesin e tyre ai përmendi edhe kthimin e regjimit të vizave për kosovarët, cili zyrtarisht pritet të hiqet më 1 janar 2024.

Hyseni në emisionin “ReSpublika” në Tëvë 1, tha se Osmani nuk e di fuqinë e saj që ka përtej zyrës së saj.

Ai tha se deklarata e Osmanit ndaj asaj të Macronit, që sipas tij ishte shumë dashamirëse, dëmton raportet me aleatët.

“Është gafë e rëndë politike, ka qenë reagim ndaj një deklarate shumë dashamirëse ndaj Kosovës por edhe Serbisë. Nuk anë negative absolutisht në atë deklaratë, ka thirrje dashamirëse. Një deklaratë e tillë është e rrezikshme  dhe dëmshme për raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Hyseni.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se rikthimi i regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili pritet të hiqet nga 1 janari i vitit 2024, do të ishte vrasje për dialogun, Kosovë-Serbi.

Ajo këtë e ka thënë kur është pyetur për deklaratën e presidentit të Francës, Emanuel Macron, i cili ka përmendur edhe pezullimin e vizave për Kosovën nëse palët nuk sillen në mënyrë të përgjegjshme.

Osmani ka thënë se nëse dikush dëshiron të mos ketë  dialogun atëherë merr masa të tilla, që sipas saj, janë kundër qytetarëve të Kosovës.

“Paralajmërimi i rikthimit të regjimit të vizave do të thoja se kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë dialog, atëherë merr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri. Besoj shumë që as nuk do të vij deri tek ajo punë, Kosova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret. Kosova e ka merituar heqjen e vizave nuk është që i është dhënë dhuratë”, ka thënë Osmani të mërkurën para medieve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse dy shtetet sipas tij nuk sillen në mënyrë të përgjegjshme.

Macron në fjalimin vjetor para ambasadorëve tha se shteti i tij dhe Gjermani i kanë bërë të qarta zotimet.

“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat