Shala: Vrasjet trend në rritje, shqetësues numri i madh i armëve ilegale

Aktuale

Shala: Vrasjet trend në rritje, shqetësues numri i madh i armëve ilegale

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 08:30
Ilustrim

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se trendi i vrasjeve në Kosovë është në rritje, teksa shqetësuese e sheh numrin e madh të armëve ilegale në duart e qytetarëve.

Shala tha se këto vrasje janë duke ndodhur për arsye të ndryshme, por që kërkon nga organet e drejtësisë të merren më seriozisht me këtë çështje.

“Sa i përket çështjeve të vrasjeve të cilat janë duke ndodhur tani për tani në Kosovë, kjo po e dëshmon faktin që po janë shumë faktor rrethanor të cilët po e shtyjnë personat dhe individët e caktuar të kryejnë veprime kriminale. Mund të themi që trendi është në rritje po njëkohësisht është alarmante fakti që qytetarët ende po dëshmohet fakti që kanë në duart e tyre armë ilegale të cilat janë të pa kontrollueshme nga sistemi policor”, ka thënë ai.

Shala ka kërkuar shtim të patrullimeve të Policisë, e jo siç thotë ai vetëm në periudha të caktuara. Ndërkaq, veprime më konkrete ka kërkuar edhe nga Prokuroria e Shtetit.

“Ne duhet të punojmë në shumë drejtime, në njërën anë në sistemin policor për ti ndaluar dhe për ti kontrolluar, pse jo të kemi edhe postblloqe statike që qytetarët që posedojnë armë ilegale të kontrollohen ne vazhdimësi e jo vetëm të kemi një periudhë të caktuar kohore të një plani operativ. Në anën tjetër Prokuroria duhet të jetë me rigoroze sa i përket kërkesës për masa të caktuara sipas ligjit dhe kodit penal të Kosovës. Në anën tjetër gjykatat do të duhet që të marrin vendime rigoroze sa i përket personave të cilët qoftë hasen me armë ilegale, qoftë se kryejnë vepra të caktuara kriminale sepse vetëm kështu mund të arrihet masa preventive përmes veprimeve represive”, thotë ai, për eo.

Shala ka theksuar se nga plani operativ “Goditja” që është ndërmarr nga policia e Kosovës është dëshmuar që shumë qytetar posedojnë armë ilegale.

“Duhet marr parasysh që patëm një plan operativ ‘Goditja’ nga ana e policisë së Kosovës si rezultat i shumë veprave të caktuara kriminale dhe është dëshmuar se shumë qytetarë janë hasur me armë ilegale. Kjo po dëshmon për një potencial të jashtëzakonshëm në shoqërinë kosovare që çështja e kriminalizimit dhe posedimeve të armëve ilegale është shqetësuese për sigurinë publike”, tha ai.

Vetëm javën që lamë pas në vend kanë ndodhur dy vrasje. Këtë të shtunën në Prizren mbeti i vdekur një 48-vjeçar, ndaj të cilit dyshohet se u gjuajti shtatë herë me armë dhe se akti kishte ndodhur në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

E të enjten një 29-vjeçar është vrarë në fshatin Balincë të Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje që kishte ndodhur mes viktimës dhe dorasit në tregun e druve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat