Prokuroria kërkon paraburgim për mjekun nën dyshimin për “marrje të ryshfetit” në QKUK

Aktuale

Prokuroria kërkon paraburgim për mjekun nën dyshimin për “marrje të ryshfetit” në QKUK

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që t’i caktohet masë paraburgimi mjekut me inicialet, S.D., për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit”,

Lajmi e bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë çështje penale, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës kompetente, ndaj S.D., për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, sipas KPRK-së”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje pas arrestimit të mjekut me inicialet S.D, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 11:05, në Prishtinë.

Tutje në raport bëhet e ditur se nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.

Pas arrestimit të mjekut kanë reaguar edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre pas marrjes së lajmit. Tutje në reagim është bërë e ditur se drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat