Osmani viziton bashkinë e Durrësit, takon kryetaren Sako

Aktuale

Osmani viziton bashkinë e Durrësit, takon kryetaren Sako

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 18:16
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri.

Pas takimeve me krerët e shtetit gjatë ditës së djeshme, Osmani sot ka vizituar qytetet e Shqipërisë – Beratin, e tashmë gjendet në Durrës.

Gazetari Flamur Gajtani njofton se në këto momente është duke u zhvilluar një takim mes Osmani dhe kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.

“Aktualisht jemi në ndërtesën e Bashkisë së Durrësit, të cilën po e viziton Vjosa Osmani, dhe është pika e parafundit e vizitës së saj dyditore në Shqipëri. Ajo po e zhvillon një takim me Emirjana Sako, kryetaren e Bashkisë së Durrësit. Pas këtij takimi, Osmani me delegacion do të zhvillojë një vizitë në pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit”, ka thënë Gajtani.

Kujtojmë se Osmani gjatë ditës ka qëndruar në Berat, ku është pritur nga i pari i bashkisë, Ervin Demo, i cili edhe i ka ndarë Osmanit titullin “Patron i Kalasë”, që u jepet personaliteteve që japin kontribut në promovimin e Kalasë së Beratit.

I pari i Beratit tha se ky çmim nuk u jepet ndonjë vizitori të thjeshtë apo turisti, “por i jepet dikujt që ka promovuar qytetin e Beratit që është në mbrojtje të UNESCO-s, e që sipas tij Vjosa Osmani e ka bërë më së miri këtë”.

Edhe vet Osmani tha se ndihet e respektuar me nderin që i është bërë nga qyteti i Beratit. Ajo tha se “monumentet e tilla, si Kalaja e Beratit, janë krenari shtesë për popullin shqiptar kudo, dhe se promovimet e tilla do t’i bëjë në vazhdimësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat