​“Po shkelen parimet e vendosura nga trupi gjykues”, kundërshtimet e mbrojtjes në seancë

Aktuale

​“Po shkelen parimet e vendosura nga trupi gjykues”, kundërshtimet e mbrojtjes në seancë

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 19:26
Fredric Abraham

Dëshmitari ndërkombëtar, Fredric Abraham, në ditën e parë në gjykatoren e Hagës ka folur për punën e tij në organizatën Human Right Watch dhe përvojën gjatë luftës në Kosovë. Ai është intervistuar nga prokurori Alan Tiger, i cili është përballur me kundërshtime nga avokatët mbrojtës, veçanërisht Ben Emmerson, i cili ka thënë se po shkelen parimet e vendosura nga trupi gjykues.

Dëshmitari i ZPS-së ka thënë se në Human Right Watch ka punuar nga viti 1993, dhe nga kjo periudhë e deri në vitin 2000 në fokus të punës e ka pasur Ballkanin.

Ai ka thënë se është i përfshirë në shkrimin e raporteve, në veçanti lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.

I njëjti ka konfirmuar se ka dhënë dëshmi edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.

Derisa ka folur për angazhimin në Kosovë, ai ka thënë se nuk ka qëndruar në mënyrë të vazhdueshme këtu, por ka udhëtuar herë pas here, dhe ka përmendur udhëtimin e parë në maj ose qershor të vitit 1998.

Abraham: Intervistat ishin burim i rëndësishëm

“Intervistat zakonisht ishin burim shumë i rëndësishëm. Në rastin e hetimit të shkeljeve të bëra nga UÇK, intervistat ishin të vështira, sepse ekzistonte një lloj hezitimi i përgjithshëm dhe do të shtoja, frikë për të folur haptas për këtë çështje”, ka thënë dëshmitari.

Mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, ka kërkuar që dyshimtari të pyetet nëse ka kryer vet hetime lidhur me rastet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK.

Abraham: Kam bërë intervista me viktima ose dëshmitarë

“Po. Megjithëse duhet të them që shumë raporte për këtë temë janë shkruar nga kolegët e mijë, dhe në ato raste unë e njihja mirë metodologjinë e përdorur prej tyre, kam qenë në konsultim me ta derisa i kanë shkruar raportet, në pyetjen tuaj – po ka pasur raste kur unë kam bërë vet intervista me viktima ose dëshmitarë”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, njerëzit kishin frikë të flisnin për veprimet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK.

Abraham: Njerëzit kishin frikë të flisnit për veprimet e UÇK-së

“Kjo është pikëpamja ime, përshtypja ime e krijuar mbështetur në qindra intervista dhe duke qenë se e flisja shqipen si gjuhë deri në një masë, pas ca përvoje pune në Kosovë nuk ka asnjë lloj pikëpyetje në mendjen time që ndonjëherë njerëzit kishin frikë të flasin për krimet e kryera nga UÇK dhe njerëzit ishin të shqetësuar për pasojat që mund t’i kishte të folurit ose ekspozimi i krimeve”, ka thënë ai.

Këtu ka kundërshtuar mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe, duke thënë se këto janë përshtypje të tij.

Ndërsa avokati i Veselit, Ben Emmerson ka kundërshtuar edhe mënyrën e pyetjeve të prokurorit Tiger.

Emmerson: Po shkelen të gjitha parimet e vendosura nga trupi gjykues

“Nuk mund të hetosh një person që jep deklaratën pa e ditur kush është ai person dhe mbi çfarë bazash jep atë informacion. Është shumë e qartë mënyra se si e ka përgatitur zoti Tiger(prokurori) këtë dëshmitar dhe mënyra sesi i bën pyetjet, këtu ai po shkel të gjitha parimet që ju si trup gjykues i keni caktuar. Jemi në një situatë kur kemi dëgjuar këto dëshmi dhe aty kemi një segment të vogël kur thuhet se janë intervistuar anëtarë të familjes, këto janë përshtypje të përgjithshme nuk është dëshmi me plot kuptimin e fjalës”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur një rast në një tjetër gjykim ku sipas tij trupi gjykues kishte refuzuar të pranonte dëshmi të tilla.

Emmerson: Pyetjet janë të dizajnuara në mënyrë që të nxjerrin dëshmi të papranueshme

“Në një gjykim tjetër, trupi gjykues në fakt gjyqin e Milotinoviqit refuzoi që ta pranonte një dëshmi të tillë, ne thjesht po dëgjojmë pyetje të cilat janë të dizajnuara në një mënyrë që të nxjerrin dëshmi të papranueshme”, ka thënë Emmerson.

Me kundërshtimin e avokatit Emmerson është pajtuar edhe mbrojtja e Thaçit.

Në fund të seancës, dëshmitari ka përmendur edhe pretendimin e dy gazetarëve serbë se ishin ndaluar nga UÇK.

Lidhur me këtë ai ka thënë se kishin këkruar takim me përfaqësuesit e UÇK-së, i cili sipas tij u ishte mundësuar.

Sipas tij, takimi ishte mbajtur në një fshat të Malishevës me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.

Pas kësaj, seanca është mbyllur dhe e dëshmia e tij do të vazhdojë nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me këtë dëshmitar janë shfaqur që në fillim të seancës ku avokatët kanë deklaruar se dëshmia është e mbështetur në përshtypjet e tij.

Ai është dëshmitari i 22-të me radhë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat