AKI-ja alarmoi policinë e veriut të cilët gjetën shumë armatim në Zveçan

Aktuale

AKI-ja alarmoi policinë e veriut të cilët gjetën shumë armatim në Zveçan

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 00:02
Armatimi

Alarmi u erdhi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e policia e veriut menjëherë u vu në lëvizje. Nga rruga që bënë deri në një shtëpi në lagjen Korillë të Poshtme në Zveçan, u kthyen në stacion me plot armë e mjete të tjera ushtarake.

Katër armë AK 47, 34 karikatorë, 1,546 fishekë të kalibrave të ndryshëm, tetë granata dore, një minë anti-këmbësorie, gazmaska, çanta ushtarake, shok-bomba, thika e krejt mjetet tjera të konfiskuara u ekspozuan nga policorët, pasditen e së martës.

Nuk dihet nga erdhi, por një pjesë e këtij armatimi është e kategorisë më të rëndë.

Sipas ministrit për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla, me aksionin e së martës veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit.

Por, një koment hiç të zakonshëm mori ministri bash në postimin që e bëri për armatimin që u gjet në Zveçan.

Një profil Facebooku, me emrin “Severna Brigada”, i tha Sveçlës se do ta likuidojë, veç po e presin momentin.

Kërcënimet mbase u ashpërsuan pasi kjo nuk qe hera e parë që policia konfiskoi armatim në këtë komunë veriore. Njëjtë, bile në sasi edhe më të madhe, pati gjetur më 23 qershor afër objektit komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat