Deklarata e Macronit për vizat, ja si e komenton Konjufca

Aktuale

Deklarata e Macronit për vizat, ja si e komenton Konjufca

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 09:21
Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka komentuar deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Konjufca ka thënë se kjo do të ishte padrejtësi, derisa ka thënë se uron që ky të mos jetë veprim që do të konkretizohet.

“Është goxha padrejtësi. Uroj që të mos jetë veprim do të konkretizohet. Në anën tjetër edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë që Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për deeskalim të situatës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka përmendur edhe përgjigjen e Presidentes Vjosa Osmani ndaj deklaratës së Macron.

“Porosia që ka dashtë me përçu presidentja është që e dëmton dialogun, madje edhe e bllokon atë”, ka deklaruar Konjufca në DPT te Fidani.

Ndryshe, më 30 gusht, Osmani ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat