“Ndërkombëtarët i merrnin gjërat në duart e veta” – Ish-polici rrëfen sfidat që përballoi gjenerata e parë e Policisë

Aktuale

“Ndërkombëtarët i merrnin gjërat në duart e veta” – Ish-polici rrëfen sfidat që përballoi gjenerata e parë e Policisë

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 19:06
Xhemajl Ademaj

Ish-polici Xhemajl Ademaj, i cili u bë pjesë e gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës në vitet ’99, ka ndarë një rrëfim të ndjeshëm për kohën kur filluan të formoheshin strukturat e Policisë në Kosovë.

Me një karrierë të gjatë dhe përvojë të pasur, Ademaj përcjell emocionin dhe sfidat e kësaj periudhe.

“Është një emocion i veçantë kur i takon gjeneratës së parë, kemi qenë 176 policë e sipas emrit dhe mbiemrit më ka ra numri një. Është një nder dhe kënaqësi që kemi hyrë në këtë Polici me qëllimin më të mirë që ta krijojmë një institucion kredibil dhe profesional, me çka mendoj që edhe është arritur deri më tani dhe po shohim profesionalizimin ndër vite i Policisë së Kosovës,” ka thënë Ademaj.

Ai theksoi sfidat e para që kishin përballë, duke përfshirë mungesën e armëve dhe rezistencën ndaj kufizimeve të Rezolutës 1244.

“Me shumë kundërshtime, me shumë protesta e konflikte me ndërkombëtarët, nuk kemi pasur as armë derisa arritëm te i sigurojmë tri gjenerata e parë revolet glock prej Austrisë,” ka shtuar ai.

Për sa i përket asaj se si u bë pjesë e gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, Ademaj shpjegoi: “Unë për vete personalisht në atë kohë kam qenë në grupin e bisedimeve me Frederick Senik, komisionerin e parë të Policisë nga Danimarka, Rexhep Selimin, Nuredin Ibishin, Enver Ruqin edhe unë kemi qenë ekip bisedimi për kyçje të një pjesë të Policisë Ushtarake dhe të UÇK-së.”

“Ka qenë shumë me rëndësi, një njeri veteranë amerikan pas bisedimeve kur filluan me u zgjedh njerëzit thash më falni se jam doktor shkence dhe nuk jam i interesuar të vazhdoj më tutje, vjen dhe troket në derë dhe me thotë se ti duhesh me ardh ka nevojë që pas gjitha këtyre sakrificave që ka përjetuar ky popull, është interesant me kanë një doktor shkence në polici. Unë kam kryer shkencat kriminale”, është shprehur tutje ai.

Ai gjithashtu ndau një moment interesant kur u pranua në policinë e Kosovës: “Kam kryer shkencat kriminale. Edhe pranova, është në thënie ‘kur dikush një ditë është polic, tërë jetën mbetet polic’, edhe unë mbeta ashtu.”

Për sa i përket sfidave të vitit ’99, kur Kosova ishte nën tensione të mëdha dhe kishte vrasje të shumta, Ademaj ka shtuar: “Ka qenë sfiduese, ndërkombëtaret i merrnin gjerat në duart e veta dhe punojshin vet, neve nuk na kanë lënë të involvohemi shumë, sidomos tek rastet dhe krimet e rënda.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat