Rizvanolli qytetarëve: Kujdes, mund të mashtroheni me tiketat e pajisjeve që subvencionohen

Aktuale

Rizvanolli qytetarëve: Kujdes, mund të mashtroheni me tiketat e pajisjeve që subvencionohen

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 00:36
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes gjatë blerjes së pajisjeve elektrike që do të subvencionohen nga Qeveria.

Rizvanolli tha se aktualisht në treg ndodhen edhe disa pajisje që kanë etiketë të vjetër të efiçiencës së energjisë e të cilat nuk i subvencionon Qeveria.

Sipas Rizvanollit, për informim më të saktë, Qeveria do të bëjë edhe një kampanjë rreth këtij sqarimi, derisa i ka ftuar qytetarët që t’i përcjellin kampanjat informuese të Qeverisë rreth etiketës efiçiente të cilën e subvencionon Qeveria, e përcaktuar sipas rregullave të BE-së.

“Ju lutem të keni kujdes që kur të bleni pajisje, kjo ka të bëjë për thirrjen që është aktualisht, për enëlarëse, rrobalarëse dhe frigorifer. Për disa prej këtyre: pajisjeve për enëlarëse dhe frigorifer, ka dy lloj të ndryshme të etiketave. BE i ka ndërruar në vitin 2021 etiketat dhe disa biznese fatkeqësisht kemi informata se janë duke e keqpërdorur, duke e keqpërdorur këtë fakt, duke i reklamuar produktet e tyre si efiçiente, shembull kategorisë A ose B. Jemi duke fol për etiketat që janë shumë mirë në posterat promovues për qytetarë që i kemi bërë. Qytetarët mund të shohin se si duket etiketa e re, si duhet të duket etiketa që do të subvencionohet dhe ajo është etiketa që duhet ta kërkojnë. Ndërsa në disa raste kemi parë që po i reklamojnë produktet duke treguar vetëm klasën e energjisë dhe duke mos i informuar qytetarët drejt që në fakt etiketa është e vjetër dhe efiçienca është më e ulët që nuk do të subvencionohet”, tha ministrja Rizvanolli.

Ajo shtoi se për këto raste është informuar edhe Inspektorati i Tregut dhe se do të bëhet thirrje shtesë për këto kategori të subvencionimit.

“E kemi informuar inspektoratin e tregut por për këto do të bëjmë edhe një thirrje shtesë qytetarëve për kujdes në këtë aspekt. Është mëkat që një skemë e tillë që ka kaq shumë interesim synohet që të keqpërdoret nga disa, janë pak, janë shumë pak, por janë disa që synojnë ta keqpërdorin këtë subvencionim”, tha Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat