Avokati i Kadri Veselit sfidon dëshmitarin: Pra, ju ricikluat propagandën serbe?

Aktuale

Avokati i Kadri Veselit sfidon dëshmitarin: Pra, ju ricikluat propagandën serbe?

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 07:00 Përditësuar në ora: 11:27 më 07.09.2023
Avokati i Kadri Veselit

​Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e Frederick Abrahams, zyrtar i organizatës Human Right Watch, i cili në gjykatore ka dalë si dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Ai po intervistohet nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili ka thënë se raportet e dëshmitarit janë vetëm një riciklim i lajmeve serbe.

Abrahams po dëshmon për raportet që ai dhe kolegët e tij i kishit përgatitur në periudhën e luftës në kuadër të punës në Human Right Watch.

Në gjykatore është bërë e ditur se ato raporte kishin cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare në shkrimet ku burim ishin mediat serbe.

Vet dëshmitari kishte deklaruar se Human Right Watch kishte të njëjtën metodologji pune me Qendrën për të Drejtën Humanitare.

Avokati britanez, Ben Ememrson, ka paraqitur dokumentet ku shihet burimi i raporteve të Human Right Watch.

Avokati Emmerson: Kemi një referencë për rrëmbimin e Stalentiq në Mleqan, dhe jepet një përshkrim i ngjarjeve që kanë ndodhur. Dhe mund ta shikoni se burimi nga është marrë informacioni është media e Beogradit, është e saktë kjo?

Dëshmitari Abrahams: Po.

Emmerson ka përmendur raportin e 5 gushtit të botuar nga Qendra për të Drejtën humanitare dhe atë të human Right Watch të botuar pastaj në tetor të vitit 1998.

Emmerson: Raporti i dëshmitarit ka cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare me burime nga mediat serbe

“Raporti i Humanitarian Law Center ishte botuar më 5 gusht, raporti i parë i Qendrës për të Drejtën Humanitare është botuar me datë 5 gusht ndërkohë që ju keni botuar raportin tuaj në tetor të vitit 1998 dhe kohë më pas, në dhjetor, ju keni botuar një tjetër raport për ndalime dhe abuzime në Kosovë në të cilin ju jepni informacionin e njëjtë, thjeshtë keni bërë një përsëritje të raportit që keni dhënë më herët, thjeshtë keni shtjelluar më tepër. Ajo çfarë duket se ka ndodhur këtu është që burimi ka qenë media serbe, nga media serbe shkonte të Qendra e së Drejtës humanitare pastaj ju e merrni citimin si bazë atë çfarë ka shkruar qendra humanitare e së drejtës, dhe më pas e citoni sikur është i juaji”, ka thënë Emmerson.

Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se kanë bërë dallim në media meqë shteti i Serbisë atëherë kishte kontroll të fortë në media.

Abrahams: Kishim nivel të lartë besimi në Qendrën për të Drejtën Humanitare

“Ne kishim një nivel të lartë besimi në Humanitarian Law Center, ne besonim se ata kishin arsye për të përfshirë atë çfarë kishin përfshirë në raportin e tyre, unë nuk mbaj mend në një bisedë, ose nuk mbaj mend që hulumtuesit apo autoret e raporteve të tyre të kem folur me ta për sa i takon këtyre rasteve konkrete”, ka thënë dëshmitari.

Emmerson ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit i cili ka thënë se hulumtimet e Qendrës për të Drejtën Humanitare kishin të njëjtën metodologji me ato të Human Right Watch.

Emmerson-dëshmitarit: Në raportin tuaj keni bërë një riciklim të lajmeve serbe

“Në të thuhet, të gjitha hulumtimet e kryera nga Qendra humanitare në periudhën nga 1990-1999 të gjitha këto hulumtime kishin një metodologji të përbashkët me atë tonën. Hulumtues të trajnuar dhe më përvojë kanë intervistuar viktima dhe dëshmitarë të abuzimeve zakonisht në intervista të gjatë kokë më kokë, burime të shumta me prova mbështetëse kërkohen për të bërë pretendime të besueshme dhe Human Right Watch ka qenë e kujdesshme sa i takon bërjes së pretendimeve publikisht. Kur ishte e mundur ne jemi përpjekur të marrim dëshmi ose të dhëna nga kryesit e pretenduar, do të thotë kjo është deklarata sa i takon metodologjisë për përgatitjen e raporteve tuaja sa i takon vlerësimit të besueshmërisë së burimeve apo fakteve që keni pasqyruar ju. Ne sapo pamë këtë shembull të fundit ku ajo çfarë keni bërë ju nuk është asgjë tjetër veçse një riciklim i raporteve të lajmeve serbe në raportin tuaj dhe më pas citoni vetën tuaj, me fjalë të tjera, pasi kalon koha ju nuk bëni as përfshirjen e medias as përfshirjen e Humanitarian Law Center, por thoni që burimi jemi ne Human Right Watch”, ka thënë Emmerson.

Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Fred Abrahams para trupit gjykues në Hagë.

Seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit Ben Emmerson.

Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Avokati i Kadri Veselit sfidon dëshmitarin: Pra, ju ricikluat propagandën serbe?

Në shqyrtimin gjyqësor të së mërkurës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Frederick Abrahams, zyrtar nga organizata ndërkombëtare ‘Human Rights Watch’ ka vazhduar dëshminë e tij duke iu përgjigjur ekipeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson fillimisht lexoi një pjesë të një raporti të shkruar nga dëshmitari Abrahams.

Ky raport përshkruante se komandanti i rajonit të Dukagjinit duhet ta ketë ditur, për masakrën më të madhe që ka kryer UÇK-ja në 1998, një ekzekutim afër liqenit të Radoniqit ku ishin vrarë 30-40 persona.

“Çfarë prova kishe ti, që ka ndodhur vrasja nga UÇK-ja, në shtator të vitit 1998?” – e pyeti Emmerson dëshmitarin.

Dëshmitari Abrahams, sqaroi se do përpilonte ndryshe fjalitë në raportin ku është folur për rastin e trupave të pajetë në Liqenin e Radoniqit.

“Është e vërtetë, duhej ta kisha shkruar ‘vrasjet e pretenduara, në vend të këtij formulimi” – tha dëshmitari Abrahams.

Këtë dëshmitari e deklaroi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Ben Emmerson.

Dëshmitari sërish deklaroi që ‘‘duhej të ishte shkruar ndryshe’’ dhe se pretendimet i kishin marrë nga pala serbe.

‘’Pra ju vetëm ricikluat propagandën serbe, apo jo?’’ – iu drejtua Emmerson, dëshmitarit.

Kur avokati Emmerson sqaroi se viktimat kishin vdekur në vende dhe kohë të ndryshme por se trupat e tyre ishin hedhur në të njëjtin vend, dëshmitari vazhdoi të thoshte se ‘‘duhej shkruar ndryshe’’.

‘‘Po këta trupa janë zbuluar dhe pretendohej se UÇK-ja i ka kryer por e pranoj se duhet të ishte shkruar ndryshe’’, shtoi tutje dëshmitari Abrahams.

Edhe në shqyrtimin gjyqësor të sotëm, dëshmitari Abrahams po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Veselit, avokatit Ben Emmerson

Tutje, dëshmitari Abrahams pranoi se nuk kanë bërë hetim në hollësi për këtë çështje, se nuk kishin arritur të shkonin në vendin e krimit pavarësisht që kishin tentuar dhe se nuk iu ishte lejuar qasja në morgun e improvizuar, shkruan kallxo.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Dëshminë në Speciale dje e ka dhënë Frederick Abrahams, nga OJQ-ja ndërkombëtare “Human Rights Watch”.

Ky është dëshmitari i 22-të deri më tani.

Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe në seancën e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat