33 vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut/ Kështu e definoi Kosovën neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut

Aktuale

33 vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut/ Kështu e definoi Kosovën neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut

Nga: A.SH Më: 7 shtator 2023 Në ora: 08:10
Foto arkiv

Sot janë bërë 33 vjet që nga shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e miratuar në Kaçanik më 7 shtator 1990.

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se Kuvendi i Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës.

Ai këtë e quan zhvillim historik, sipas të cilit u ndërtua shtetësia e Kosovës, duke u konfirmuar ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Shkrimi në Facebook:

Përkujtesë historike: 7 shtator 1990

KUVENDI I KAÇANIKUT - THEMEL I SHTETIT TË KOSOVËS

Jusuf Buxhovi

Kuvendi i Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Kështu, Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e rezistencës së armatosur kundër okupimit, që do të pasqyrohet me shfaqjen e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi „ shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.

Kujtojmë, se shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator 1990, në një organizim të fshehtë, pasi vendi ishte i mbushur nga forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit, të cilit kishin nisur një spastrim të hapur të institucioneve të Kosovës, duke i larguar punëtorët shqiptar dhe futjen e masave të dhunshme.

Image
Kushtetua e Kapanikut, deklarata
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat