35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave as nuk kanë filluar të përmbushen

Aktuale

35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave as nuk kanë filluar të përmbushen

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 12:26
Instituti GAP

Rreth 35 për qind të premtimeve ende nuk kanë filluar të zbatohen nga kryetarët e komunave të Kosovës deri në qershor të këtij viti. Ndërkaq, 26 për qind e premtimeve janë përmbushur, 16 për qind janë gjysmë të përmbushura, derisa 23 për qind prej tyre kanë filluar të realizohen. Kështu bëri të ditur Instituti GAP në një konferencë për media derisa prezantoi të dhënat e përmbushjes së premtimeve nga komunat e Kosovës.

Aty u tha se arsimi, kultura, ekonomia dhe shërbimet publike janë në fokus të komunave me më së shumti premtime të realizuara, derisa urbanizmi dhe infrastruktura janë lënë “ pas dore” nga kryetarët në përmbushjen e premtimeve.

Drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Agron Demi tha se ndër vite janë rritur premtimet e kryetarëve, pasi sipas tij, gara për mandat është shumë e ngushtë.

Demi: Numri i premtimeve të kryetarëve është rritur, garë e ngushtë mes tyre

“Një tjetër që ka ndryshuar prej vitit në vit apo prej zgjedhjeve në zgjedhje, është që numri i premtimeve është rritur, edhe kjo ka ardhur si rezultat i garës së ngushtë në të gjitha komunat, sidomos nga viti 2013 e tutje. Pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave ka qenë të rinj dhe kandidatët për kryetarë të komunave e kanë kuptuar që pa punë nuk mund ta risigurojnë mandatin, edhe se nuk e ka askush të garantuar, nuk ka më bastione. Bashkëpunimi me kryetarët e komunave ka ndryshuar dukshëm, përderisa në vitin 2009, në kërkesën tonë për komente janë përgjigjur vetëm dy komuna, këtë vit janë 24 komuna të cilat në mënyrë pro aktive edhe para se të fillojmë ne monitorimin e premtimeve na kanë dërguar informacione”, tha Demi.

Ndërkaq, hulumtuesi nga Instituti GAP, Bekim Salihu tha se komunat e Kosovës kanë realizuar 26 për qind të premtimeve të tyre, derisa 35 për qind ende nuk kanë filluar të përmbushen.

Salihu: 636 premtime ende të pa filluara

“Nga 1816 premtime që kryetarët e komunave, 27 komuna kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 473 premtime rezultojnë të përmbushura, 285 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 422 premtime janë të filluara apo janë evidentuar nisma në përmbushjen e tyre, ndërkaq 636 premtime akoma nuk ka ndonjë ndërmarrje që ato të përmbushen, pra janë jo të përmbushura. Shprehur në përqindje 26 për qind e premtimeve janë përmbushur, 16 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura, 23 për qind e premtimeve janë të filluara dhe 35 për qind e premtimeve nuk kanë nisur të përmbushën”, tha Salihu.

Tutje, Salihu tha se numri më i madh i premtimeve që janë përmbushur nga komunat i përkasin fushës së arsimit dhe kulturës, duke lënë mbrapa më një numër të vogël ato që i përkasin fushës së infrastrukturës dhe urbanizmit.

Salihu: Nga 199 premtime në fushën e infrastrukturës, vetëm 13 janë përmbushur

“Numri më i madh i premtimeve të përmbushura i takojnë fushës së arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike, Ndërkaq, numri më i vogël i premtimeve janë përmbushur në fushën e urbanizmit dhe të infrastrukturës. Në vitin 2017, përkatësisht në vitin 2019 të mandatit të kaluar në periudhën e njëjtë, kur është bërë përditësimi për mandatin e kaluar ka dalur që fusha e infrastrukturës ka qenë fusha ku ka dominuar me numrin e përmbushjes së premtimeve, përderisa në këtë mandat është e kundërta. 09:25 Nga 199 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushën e infrastrukturës, deri në fund të qershor të këtij viti dalin të përmbushura vetëm 13 premtime në këtë fushë. Edhe në mandatet e kaluara por edhe në këtë mandat, premtimet që më së vështiri po përmbushen i takojnë fushës së urbanizmit”, u shpreh Salihu.

Sipas raportit, Komuna e Prishtinës, nga 206 premtime të dhëna, i ka përfunduar 29 prej tyre, derisa 85 prej tyre nuk kanë nisur ende.

Po ashtu, edhe Komuna e Gjakovës, nga 35 premtime të dhëna deri në qershor të këtij viti i ka realizuar vetëm 6 prej tyre, ndërkaq 14 prej tyre listohen si të pa filluara.

Ndërkaq, komuna e Pejës, nga 25 premtime të dhëna, vetëm 3 prej tyre ka arritur që t’i përmbushë, e që 8 të tjera nuk janë filluar ende realizimin e tyre.

Instituti GAP njofton se gjatë këtij viti pritet që të bëhen edhe dy përditësime të tjera, sa I përket prezantimit të të dhënave mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat