Specialja jep informacion mbi zhvillimet e fundit në Gjykatë, ja çka thotë për vizitën e Thaçit në Kosovë

Aktuale

Specialja jep informacion mbi zhvillimet e fundit në Gjykatë, ja çka thotë për vizitën e Thaçit në Kosovë

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 17:20
Ish-krerë e UÇK-së

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, të enjten, ka dhënë informacionet e fundit lidhur zhvillimet e fundit në këtë gjykatë.

Ai tha se më 2 shtator, Zyra Administrative mundësoi vizitën e Hashim Thaçit si i paraburgosur në Kosovë për t’u takuar me anëtarë të familjes, për arsye bindëse humanitare, sipas udhëzimeve të trupit gjykues.

Sipas tij, gjatë vizitës, Thaçi vazhdoi të mbahej në paraburgim dhe nën ruajtje të Dhomave të Specializuara, ndërsa EULEX-i dhe Policia e Kosovës mbështetën Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me gjykimin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ai tha se  këtë javë dhanë dëshmi tre dëshmitarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Doyle deklaroi se dëshmitari i 20-të i thirrur nga Prokuroria dha dëshmi të hënën me masa mbrojtëse, përfshirë ndryshim të zërit dhe fytyrës, lidhur me rrëmbimin e pretenduar të anëtarit të familjes së dëshmitarit nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1998 dhe zhdukjen e anëtarit të familjes së tij.

Tutje, tha se dëshmitari i 21-të i thirrur nga Prokuroria në këtë çështje gjyqësore, Agim Idrizi, dha dëshmi në seancë të hapur të hënën dhe të martën, lidhur me rrëmbimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e pretenduar të tij nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1999.

Kurse, shtoi se më pas dëshmitari i 22-të i thirrur nga Prokuroria, Frederik Abrahams nga OJQ-ja ndërkombëtare Human Rights Watch filloi dhënien e dëshmisë lidhur me punën e organizatës së tij në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës, e që dëshmia e tij vazhdoi të mërkurën dhe të enjten.

‘‘Krahas marrjes në pyetje nga Prokuroria, dëshmitarët u morën në pyetje edhe nga ekipet e mbrojtjes. Atyre iu bënë pyetje edhe mbrojtësi i viktimave dhe gjykatësit’’, tha ai.

Për këtë çështje, tha se seanca e radhës është planifikuar për të hënën e ardhshme, 11 shtator, në orën 9:00.

Në anën tjetër, për çështjen gjyqësore Pjetër Shala, Doyle tha se të enjten e kaluar, 31 gusht, trupi gjykues urdhëroi që pjesë të transkriptit të seancave private të mbajtura më 30-31 maj, 2 dhe 6 qershor dhe 3 korrik 2023 të riklasifikohen si publike, së bashku me redaktimet e nevojshme.

“Ky vendim u mor në përputhje me vendimin e trupit gjykues në maj, me të cilin Prokuroria, mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave u urdhëruan t’i rishikonin transkriptet në vijimësi pas përfundimit të çdo blloku dëshmish, si dhe të bënin parashtrime”, deklaroi ai.

Në fund, ai tha se qëllimi i këtyre masave është respektimi i parimit të procesit publik, duke respektuar në të njëjtën kohë edhe masat mbrojtëse të domosdoshme për dëshmitarët dhe viktimat.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat