Osmani lajmërohet nga selia e NATO-s: Diskutuam për veriun, do të punohet me aleatët që t’i zgjidhim sfidat atje

Aktuale

Osmani lajmërohet nga selia e NATO-s: Diskutuam për veriun, do të punohet me aleatët që t’i zgjidhim sfidat atje

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 19:25
Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një paraqitje direkte nga Brukseli tek selia e NATO-s, theksoi se sot ka pasur një ditë shumë intensive dhe me përplot takime. Sipas saj, diskutimet ishin shumë përmbajtësore dhe sërish vendi ka marrë përgjigje pozitive nga aleatët që të vazhdojnë punën me Kosovën.

Nga atje, presidentja e vendit përmendi edhe veriun e Kosovës dhe çështjen e sigurisë për shkak të grupeve kriminale, por u shpreh se do të punohet me aleatët që të zgjidhet kjo çështje.

“Duhet të punojmë me aleatat tanë që ti zgjidhim sfidat e sigurisë”, u shpreh ajo.

Vjosa Osmani tha se në 25 vitet e fundit Kosova e ka dëshmuar që është partner  i NATO-s.

Gjithashtu tha se do të punohet fort që edhe flamuri i Republikës së Kosovës të valojë së bashku me flamujt e aleatëve ne selinë e NATO-s.

“Mrapa janë flamujt e shteteve anëtare të NATO-s, do të punojmë qëe edhe flamuri ynë shumë shpejt të valojë së bashku me flamujt e aleatëve”, tha Osmani.

Osmani informoi qytetarët për takimet që zhvilloi sot atje, duke u shprehur se ishin shumë përmbajtësore.

“Takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe  bashkëpunëtorët e tij të cilët çdo ditë janë të angazhuar rreth Kosovës”, tha ajo.

E veçoi takimin me kryesuesin ushtarak të NATO-s dhe takimet me përfaqësuesit e përhershëm të shteteve tona aleate.

“Diskutimet ishin shumë përmbajtësore, jam e lumtur që sërish morëm përkushtimin e plotë të aleatëve tanë që të vazhdojnë të punojnë me Kosovën”, tha ajo.

Osmani ritheksoi se Kosova është shteti më pro NATO,  “jo vetëm në rajon por në të gjithë botën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat