Serbia në ‘listën e zezë’, Kurti tregon “arsenalin e frikshëm” që po mban rezervë SHBA-BE për të tronditur pozitat e Vuçiqit

Aktuale

Serbia në ‘listën e zezë’, Kurti tregon “arsenalin e frikshëm” që po mban rezervë SHBA-BE për të tronditur pozitat e Vuçiqit

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 10:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditën e djeshme se Perëndimi duhet të zbatojë politikë ndëshkuese ndaj Beogradit, sepse siç ka thënë ai, qasja e tyre ndaj Serbisë është e “butë”.

Kurti për median estoneze “Delfi” ka deklaruar se “Serbia duhet të detyrohet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

“Bashkimi Evropian duhet të kërcënojë Beogradin me kthimin e regjimit të vizave. Ajo do të ishte e gatshme që menjëherë ta zbatonte marrëveshjen, sepse nuk do të guxonte të humbiste lëvizjen e lirë pa viza”, tha Kurti.

Sipas tij, mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të jetë që “përkrahja e Serbisë nga perëndimi demokratik të mos merret si e mirëqenë”.

Kurti i pyetur nëse Perëndimi duhet t'i japë një "ultimatum" Serbisë,  është përgjigjur pozitivisht dhe ka shtuar se duhet të shqyrtohet opsioni i anulimit të investimeve të huaja direkte.

“Po, mendoj se ndaj Serbisë duhet të merren masa të rrepta për investimet e huaja. Nëse do të kërcënoheshin me tërheqje, Serbia menjëherë do të sillej në mënyrë të disiplinuar dhe do ta zbatonte marrëveshjen tonë”, tha Kurti.

Kurti tha se është fakt që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të e mbështesin dhe ndihmojnë Kosovën, por se është gabim i tyre që tentojnë ta ndajnë Serbinë nga Rusia në mënyrë “paqësore”.

“Ata duan ta nxjerrin Serbinë nga Rusia me fuqi të butë, jo me kamxhik. Nuk funksionon", tha Kurti.

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit

Zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i bindur Kurti, qëndron në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. Siç pretendon ai, Serbia nuk e bën këtë.

“Unë thashë se do ta nënshkruaj atë marrëveshje, dhe Serbia vetëm do ta pranojë, por pa e nënshkruar. Prandaj, mendoj se nuk ka arsye të flasim se si është e mundur që regjimi i vizave për Kosovën të mos hiqet më 1 janar. Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur për Serbinë”, tha Kurti.

Ai shtoi se "Beogradi nuk është i interesuar për të drejtat e serbëve, por për zgjerimin e territorit", dhe se është i gatshëm të dëgjojë këdo që nuk ka "kërkesa territoriale".

“Nga ana tjetër, unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe serbët. Jam i obliguar t’i dëgjoj të gjitha kërkesat e tyre”, tha Kurti. Sipas tij, marrëdhëniet e këqija me Serbinë duhet të ndryshojnë.

“Estonia na njohu në të njëjtin muaj kur ne shpallëm pavarësinë, më shumë se 15 vjet më parë, dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë. Prandaj, ne jemi vend funksional, por marrëdhëniet me Serbinë nuk janë të mira dhe këtë duhet ta ndryshojmë”, është shprehur Kurti.

Kurti: Jam kërcënuar me vdekje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se disa nga personat e përfshirë në trazirat e ndodhura në veri të Kosovës pak muaj më parë kanë qenë pjesëtarë të grupit mercenar Wagner.

Ai tha se kishe marrë “letër kërcënuese nga terroristët” lidhur me sekuestrimin e një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit nga Policia e Kosovës.

Kurti ka thënë më tej po ashtu se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar.

Sipas tij, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.

“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat