Sesioni vjeshtor i Kuvendit - opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Aktuale

Sesioni vjeshtor i Kuvendit - opozita e ndarë rreth votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 14:20
Kuvendi

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor të enjten, më 14 shtator. Përveç seancës së rregullt plenare, të zgjedhurit e popullit do të mbajnë edhe debatin parlamentar për çështjen e sigurimit të teksteve shkollore nga qeveria, seancë kjo që dështoi të mbahet javën e kaluar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, nga mazhoranca thanë se presin një sesion të mbarë vjeshtor të legjislativit, kurse opozitarët kritikuan pushtetin se ka polarizuar jetën parlamentare në Kuvend. Madje, në PDK thanë se nuk do të votojnë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare. Votimin për marrëveshje ndërkombëtare e vënë në dyshim edhe nga LDK-ja të cilët thanë se do të varet nga sjellja e pushtetit sesi do ta orientojnë vendimmarrjen.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e së enjtes kanë tërhequr disa projektligje nga rendi i ditës, përfshirë Projektligjin për zyrtarët publikë për të cilin tashmë ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese si dhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial, i cili është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.

“Ne si përfaqësues të pozitës presim një sesion të mbarë vjeshtor. Natyrisht opozita ka format e veta të opozitarizmit. Nga ana e pozitës presim që me përkushtim dhe angazhim maksimal të vazhdojmë me shqyrtimin e pikave të cilat janë bartur edhe nga sesioni pranveror por edhe të tjerat që do të vijnë në ndërkohë. Besoj se kemi shumë punë për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur në shtyrjen e këtyre seancave dhe këtyre pikave”, tha ajo.

Kritik ndaj mazhorancës u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se të njëjtit nuk do të ketë asnjë lloj përkrahje në Kuvend.

Ai shtoi se do të votojnë në Kuvend vetëm për shpërndarjen e legjislativit ose rrëzimin e ekzekutivit.

“Jemi dakorduar që nga ky moment të mos votojmë asnjë projektligj dhe marrëveshje ndërkombëtare që do të vjen në Kuvend nga Qeveria Kurti. Çdo votim i yni do t’ia zgjaste jetën kësaj qeverie që po e mban vendin tonë të sanksionuar. Nuk ka asnjë arsye të vetme për ta ndërruar këtë qëndrim. Ne do të votojmë vetëm për shpërndarjen e Kuvendit dhe rrëzimin e kësaj qeverie. Prandaj nuk ka mundësi të tjera që ne të votojmë”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se pozita nuk ka disponim të mirë për të mbajtur seanca plenare.

Ai përmendi nevojën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e rezervave shtetërore, derisa tha se votimi i çfarëdo marrëveshjeje ndërkombëtare do të varet nga sjellja e pushtetit.

“Ju e dini që LDK-ja ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ka përkrahur ato të cilat vetëm bëhen sa për sy e faqe. Njëra ndër to është edhe moszhvillimi i skemës sociale... Marrëveshje të tjera atëherë kur nuk kanë marrë votën e LDK-së kanë qenë sjellja oportuniste e kësaj qeverie ose sjellja demagogjike në kuptimin e të gjitha proceseve të saj, e cila ka dëmtuar edhe kolegjialitetin në kuptimin institucional dhe kushtetues. Në fund të fundit ne përfaqësojmë qytetarë të Kosovës dhe interesat e tyre. Karshi kësaj sjellje do të jenë edhe vendimet e LDK-së”, deklaroi Zemaj.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mazhoranca ka dështuar në Kuvend gjatë tërë vitit.

Ai tha se gjatë sesionit vjeshtor do të iniciojnë një nismë legjislative për rritjen e koeficientit të Ligjit për paga.

“Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 kanë qenë muajt dhe periudha realisht më e dështuar dhe më pak rezultate që mund të kujtohet në Kuvend. Paramendoni kemi një shumicë parlamentare e cila ka mbi 50 për qind dhe iu lus qytetarëve të kujtojnë se a dinë ndonjë ligj që ka ndiku në jetën pozitive të qytetarit...Ne si GP jemi duke punuar që për sektorin publik të iniciojmë një nismë legjislative e cila do të amendamentin Ligjin për Buxhet dhe që lidhet me koeficientin e pagave për zyrtarëve publik. Koeficienti që është tash është i zvogëlimit të pagave dhe jo rritjes së tyre”, tha Tahiri.

Sot ka nisur sesioni vjeshtor i Kuvendit, pas pushimit veror të deputetëve që nga 28 korriku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat