Ambasadori Zemaj kujton sulmet terroriste të 11 Shtatorit në SHBA, përmend edhe Nenin 5 të NATO-s

Aktuale

Ambasadori Zemaj kujton sulmet terroriste të 11 Shtatorit në SHBA, përmend edhe Nenin 5 të NATO-s

Më: 11 shtator 2023 Në ora: 18:05
Astrit Zemaj

Përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemaj ka kujtuar sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA.

Ai përmend edhe Nenin 5 të NATO-s që përqendrohet në mbrojtjen kolektive ku thotë se, NATO ka venë në veprim këtë nen për herë të parë në historinë e saj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Shkrimi i plotë:

11 shtatori 2001 dhe Neni i 5-të i NATO-s

1. Sot, njëzet e dy vjet më vonë, ne përulemi me respekt të thellë dhe kujtojmë e nderojmë të gjithë që humbën jetën si pasoj e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Po ashtu nderojmë aktet e trimërisë të të gjithë atyre që nuk u trembën dhe nuk ngurruan asnjë qast për të shpëtuar edhe mijëra të tjerë në momentet më kritike dhe ditët pasuese brenda ndertesave të zonës së sulmeve terroriste.

2. NENI i 5-të i NATO-s DHE PARIMI I MBROJTJES KOLEKTIVE

Parimi i mbrojtjes kolektive është në qendër të traktatit themelues të NATO-s. Ai mbetet një parim unik dhe i qëndrueshëm që i lidhë të gjithë anëtarët së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin dhe duke vendosur një frymë solidariteti brenda Aleancës.

– Mbrojtja kolektive do të thotë që një sulm kundër një aleati, konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve.

– Parimi i mbrojtjes kolektive është i përfshirë në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit.

NATO ka venë në veprim nenin 5 për herë të parë në historinë e saj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

– NATO ka marrë masa mbrojtëse kolektive në disa raste, për shembull në përgjigje të situatës në Siri dhe në vazhdën e krizës Rusi-Ukrainë.

– NATO ka forca të përhershme në detyrë aktive që kontribuojnë në përpjekjet e mbrojtjes kolektive të Aleancës në baza të përhershme.

Prandaj:

Neni 5 parashikon që, nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.

Çka thot konkretisht Neni 5-të i NATO-s

“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë ato bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secila prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive e njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën ose Palët e sulmuara në atë mënyrë, duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkëpunim me Palët e tjera, veprime të tilla që janë të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.

Çdo sulm i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rezultat i tij do t’i raportohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Këto masa do të ndërpriten kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”

3. SULMET TERRORISTE – 11 SHTATOR 2001

Shtetet e Bashkuara ishin objekt i sulmeve brutale terroriste më 11 shtator 2001. Koncepti Strategjik i Aleancës i vitit 1999 e kishte identifikuar tashmë terrorizmin si një nga rreziqet që ndikonte në sigurinë e NATO-s.

Megjithatë, përgjigja e Aleancës ndaj 11 shtatorit, e pa NATO-n të angazhohej në mënyrë aktive në luftën kundër terrorizmit, të niste operacionet e saj të para jashtë zonës euro-atlantike dhe të fillonte një transformim të gjerë të aftësive të saj. Për më tepër, ajo bëri që NATO të thirrët dhe të veproj sipas Nenit të 5-të, të Traktatit të Atlantikut të Veriut për herë të parë në historinë e saj.

Në mbrëmjen e 12 shtatorit 2001, më pak se 24 orë pas sulmeve, Aleatët u thirrën në parimin e Nenit 5 të NATO-s.

Më pas ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi Robertson informoi më pas Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për vendimin e Aleancës.

Këshilli i Atlantikut të Veriut( NAC– organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s) – kishte renë dakord që nëse do të përcaktonte/konstatohej se sulmi ishte drejtuar nga jashtë kundër Shteteve të Bashkuara, ai do të konsiderohej si një veprim i mbuluar nga neni 5-të i NATO-s.

Më 2 tetor 2001, pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) ishte informuar mbi rezultatet e hetimeve për sulmet e 11 shtatorit, u përcaktua se ato mund të konsideroheshin si një veprim i mbuluar nga neni 5.

Duke iu referuar nenit 5, anëtarët e NATO-s treguan solidaritetin e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara dhe dënuan, në mënyrën më të fortë të mundshme, sulmet terroriste kundër SHBA-ve.

NATO thirri në veprim nenin 5-të për herë të parë dhe të vetme në historinë e saj si pasoj e sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikes.

Zoti i bekoftë SHBA-të dhe viktimat e 11 shtatorit si dhe familjet e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat