Bastisjet e sotme/ Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve: Nesër mund t’ia mësyjnë edhe familjes së Komandantit Adem Jashari

Aktuale

Bastisjet e sotme/ Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve: Nesër mund t’ia mësyjnë edhe familjes së Komandantit Adem Jashari

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 20:19
Foto ilustrim

Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së ka reaguar pas bastisjeve të sotme të bëra në banesat e dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se lajmi ishte “tronditës”, teksa me këtë veprim po shkelet mbi ideale e brezave të tërë.

“Sot kanë bastisur familjen e heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, kurse nesër mund t’ia mësyjnë edhe Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari” thuhet në reagimin e Shoqatës.

Madje, sipas kësaj shoqate, Gjykata Speciale “jo vetëm po e nëpërkëmbë luftën e UÇK-së por edhe gjakun e dëshmorëve të kombit”.

Ky është reagimi i plotë i Shoqatës (pa ndërhyrje):

Bastisen heronjtë dhe Dëshmorët e lirisë së Kosovës

Lajmi më i papritur sot ishte bastisja në familjen e Heronjve  dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri e Bahri Fazliu!

Lajm që nuk mund ta marrë me mend askush në një shtet normal, në jetën historike të një populli që ka luftuar bashkë me vendet demokratike ndërkombëtare për çlirim dhe liri.

Lajm që tronditi të gjithë ata qytetarë të Kosovës, sidomos familjet e Dëshmorëve të Kombit të Luftës së UÇK-së. I ka tronditur të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Familjet e Dëshmorëve, për faktin se po shkelet mbi idealet e brezave të[ tërë të veprimtarëve të lirisë dhe të çlirimit nga pushtimi sllav. I ka tronditur të gjithë njerëzit normal të këtij vendi, për faktin se kjo Gjykatë Speciale që i thonë e Kosovës, ka prekur atje ku nuk duron më asnjë popull. Ka prekur mbi gjakun e derdhur për çlirim dhe liri kombëtare. Sot kanë bastisur familjen e heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, Fahri dhe Bahri Fazliu, kurse nesër mund t’ia mësyjnë edhe Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari. Ngase, kjo Gjykatë Speciale jo vetëm po e nëpërkëmbë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare, duke burgosur të gjithë aa që ishin në vijën e parë të frontit për çlirim dhe liri, por ka zënë e po e nëpërkëmbë edhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit. Nuk ka njeri normal që mund ta logjikojë këtë veprim të kësaj Gjykate përveç faktit se ka qëllim që ta njollos  luftën për liri të një populli të robëruar për më shumë se një shekull. Në një shtet si Kosova, sa duket ehe mund të ndodhin bastisje të këtilla, kurdo që i teket dhe kurdo që i bie ndërmend një Gjykatë të këtillë, që i thonë e Kosovës, por që selinë e ka në Hagë dhe ku asnjë shenjë të Kosovës si shtet nuk e ka në strukturën e punës së saj.  Kurse qeveritarët tanë, që nuk pushojnë duke marrë nëpër gojë të gjitha nivelet e drejtësie në Kosovë, deri edhe Gjykatën Kushtetuese, nuk e thonë një fjalë, qoftë si propagandë për veshët e popullit, që është mësuar me logjikën e nëpërkëmbjes së vlerave të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo bastisje jep për të kuptuar se këtu nuk ka më shtet, nuk ka organe shtetërore, nuk pyetet askush, andaj tashti bastisen edhe familjet e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, sepse të vetmin faj që e kanë bërë, është se ka luftuar kundër pushtuesit dhe kanë rënë për lirinë e atdheut tonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat