Përplasje, akuza e diskutime, përfundon pas disa orëve debati për librat në Kuvend

Aktuale

Përplasje, akuza e diskutime, përfundon pas disa orëve debati për librat në Kuvend

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 07:34 Përditësuar në ora: 11:52 më 14.09.2023
Arberie Nagavci

Kokaj: Kur flasim për vdekjen e nobelistit, vëllait tonë Ferid Murad, është një kënaqësi e veçantë

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj e kujtoi sot vdekjen e nobelistit me prejardhje shqiptare, Ferit Murad.

Në fjalën e tij, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kokaj tha se “kur flasim për vdekjen e nobelistit, vëllait tonë Ferid Murad është një kënaqësi e veçantë”.

Kokaj ka kërkuar nga deputetët që të mbajnë një minut heshtje për veprën e nobelistit.

“Deshta të marr një minutë për kujtuar rastin e vdekjes. Vdekja është diçka e frikshme, por kur flasim vdekjen e nobelistit, vëllait tonë Ferid Murad, është një kënaqësi e veçantë, me të cilin mburremi ne dhe tërë bota”, tha ai.

Ironizon Haki Abazi: U kritikua Rita Ora që e përdori një flamur, e Gërvalla i ka gabu flamujt

Deputeti Haki Abazi ka kritikuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz, për paraqitjen në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai tha se i gjithë populli e kritikoi Rita Orën që e përdori një flamur, derisa përmendi ministren Gërvalla që disa herë ka gabuar flamujt.

“Asnjë njohje ndërkombëtare, për turp është paraqitja në marrëdhëniet ndërkombëtare. 

U çu krejt populli e kritikojke Rita Orën që e ka përdor një flamur, ministrja jonë e jashtme i ka gabu flamurat, njeri që është i obliguar me mbrojt interesin e shtetit”, tha ai.

Hoti: Nagip Krasniqi merr ende rrogë 1700-1800 euro edhe pse është në burg

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur Kryeshefin e pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Hoti ka thënë se ai vazhdon që të merr 50 përqind të pagës që thotë se i bie rreth 1700-1800 euro,  edhe pse ndodhet në paraburgim.

“Kryeshefi i KEK’ut është në paraburgim njeri, edhe du me prezumu pafajësinë për të, por ai vazhdon të mos shkarkohet dhe të merr 50 përqind të rrogës.

1700-1800 euro merr rrogë ai, e është në burg, në paraburgim. I pafajshëm derisa nuk ka vendim të gjykatës, por ai vazhdon të paguhet nga buxheti i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti në nisje të sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit të Kosovës.

Hoxhaj: Të mos blejmë kohë, të shkojmë në zgjedhje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë që të mos blihet kohë por të shkohet në zgjedhje.

“Për 1200 ditë dy mandate ka tregu që nuk ka guxim me marrë vendime të mëdha”, ka thënë Hoxhaj në foltoren e Kuvendit.

“Ky vend ka mbetur pa lidership me marrë vendime të mëdha, dhe ftoj shumicën parlamentare dhe krejt deputetë që e shohin interesin e Kosovës para interesit individual se në fund të ditës na kur vijmë në këtë institucion të nderum e reflektojmë ndërgjegjen tonë, jo vetëm qëllimet tona, i ftoj të gjithë deputetët e shumicës edhe të opozitës që ne ta shpërbëjmë këtë Kuvend, neve na duhet një qeveri e re, neve na duhet një lidership i ri, neve na duhet një mandat  i ri i këtij institucioni dhe i këtij kuvendi me qëllim që Kosovën ta kthejmë tek parimet kyçe të dialogut dhe parimet kyçe të dialogut janë marrëveshja obligative ligjore jo bazike, marrëveshje finale jo të përkohshme, marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe jo marrëveshje e cila është në fakt mosmarrëveshje”.

“Dhe këtë e thamë për një arsye. Këtë e thamë se e kam bindjen që procesi ku është Kosova unë nuk pres personalisht jo më 2023-2024, por nuk pres për një kohë të gjatë që të arrijmë ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë”.

Tahiri kritika Qeverisë Kurti: Për tri vjet, produkt i juaj kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit të së enjtes ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se për tri vjet në pushtet nuk ka arritur që të shënojë asnjë moment suksesi e progresi në vend.

Sipas tij, në këto tri vite produkt i kësaj qeverie kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Për këto tri vite qeverisje anemike, nuk arritëm asnjëherë të shënojmë momente suksesi e progresi të qeverisjes në vend. Ne jemi kundërshtarë politikë, por ia duam suksesin këtij vendi dhe do të donim që për këto vite të kishim pasur sado pak progres në zhvillimin ekonomik, do të donim të diskutonim për zhvillimet në shëndetësi, infrastrukturë e rritjen e mirëqenies për qytetarët”, ka thënë Tahiri para deputetëve.

“Por, për fat të keq këto tema nuk kanë zënë vend në diskutimet tona në këtë legjislaturë. Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni në Korporatën Energjetike të Kosovës, me kontrata njëburimore që janë burim i korrupsionit e që si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes  Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, arrin vlerën e hiç më pak se rreth 75 milionë euro. Nuk kishte si të përfundonte ndryshe veç se ky zotëri të përfundojë në Dubravë aty ku është sot”.

Ai tutje ka shtuar se produkt i qeverisjes ka qenë ambasadori Martin Berishaj, “shpëlarës i parave të pista të mafias energjetike serbe, të cilat përfunduan në Kosovë e në Mal të Zi, e i cili për hiç më pak se 2 milionë euro tërhoqi para kesh në sy të institucioneve të Kosovës i papenguar e edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë imunitet e përkrahje si nga kryeministri Kurti ashtu edhe nga presidentja Osmani”.

“Produkt i qeverisjes Kurti për tri vite është edhe Faruk Mujku, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje i arrestuar për korrupsion, të cilit i janë gjendur para kesh rreth 60 mijë euro në shtëpi dhe i njëjti kishte deklaruar vetëm 500 euro në Agjencinë Kundër Korrupsionit”, ka shtuar Tahiri.

“Është vjedhja e rezervave shtetërore përmes mikut tuaj Ridvan Muharremi. Vidhet në vaj, në grurë, në sheqer. Lidhjet me Radojçiqin. Ikja masive e të rinjve tanë, kjo është arsyeja pse Qeveria Kurti nuk guxon të nisë regjistrimin e popullsisë. Produkt i qeverisjes tuaj është Besnik Mujeci, një narkotrafikant që u kap me drogë me vlerë 500 mijë e që nuk po lejoni që t’i bastisen pronat. Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit është produkt i kësaj qeverie”.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka paralajmëruar se në vijim do të elaborojnë kontratat njëburimore të trashëgimisë kulturore, “ku shihet se si vidhet në emër të restaurimeve e në emër të dëshmorëve”. 

Abazi hedh në Kuvend fletushka me mbishkrimin “E di Sllavko”: Lista Serbe erdhi veç u nënshkrua – nuk guxoni me bë zë

Deputeti i pavarur, Haki Abazi, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Albin Kurtit. Sipas tij, dëmi që po i bëhet vendit me këtë Qeveri është e madhe, teksa ka riaktualizuar sërish bisedat ndërmjet shefes se deputetëve të VV-së Mimoza Kusari-Lila me deputetët e Listës Serbe.

Abazi, hodhi disa fletushka me mbishkrimin “E di Sllavko” në fotografinë e Kusari-Lilës me Milan Radojçiqin.

Abazi, ka thënë se pozita e hapi debatin në Kuvend, me “suksesin e Lojërave Mesdhetare” ndërkohë që nuk bëri zë kur “shokët i erdhën në Kuvend” – duke iu referuar Listës Serbe, e cila siç u raportua, erdhi në Kuvend vetëm sa për të mos e humbur mandatin dhe doli prej sallës menjëherë.

“Asnjë rezultat pozitiv në veri nuk ka përveç tensioneve. Vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK është dështim i sistemit të drejtësisë dhe policisë. Vazhdim total i degradimit dhe mafisë ndërtimore, një zhurmë e VV që ka bërë shumë zhurmë para se të vinte në pushtet”.

“Asnjë njohje ndërkombëtare, për turp marrëdhëniet ndërkombëtare. Largimi i trurit vazhdon, brengosja më e madhe. Më kujtohet biseda me kryeministrin Kurti kur flisnim për ikjen në vitet e 90-ta, ndërsa Sot në qeverisjen tonë po vazhdon”, tha Abazi, teksa hodhi disa fletushka me mbishkrimin ‘E di Sllavko’ në fotografinë e Kusari-Lilës me Radojqiqin.

Haradinaj kërkon mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës, pati kritika ndaj Qeverisë. Ai u kërkoi mocion deputetëve për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

“Dialogu dhe qeverisja janë në rrugë të gabuar, që po i sjellin humbje e goditje Kosovës, janë të shumta. Nëse ne e shohim qeverinë që e udhëheq vendin në drejtim të gabuar dhe i sjell humbje të njëpasnjëshme, si duhet vepruar tutje? Nëse dikush ende shpreson se Qeveria Kurti do ta nxjerr Kosovën nga drejtimi humbës e nga sanksionet jam i bindur se do të dalë gabim. Nuk besoj se duhet të presim që ai që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, të shpresojmë se do ta nxjerrë”, u shpreh Haradinaj.

“Është detyrë e parlamentit me nxjerr Kurtin nga drejtimi i gabuar, detyrë e të gjithë deputetëve jo  vetëm opozitarë. Ne e kemi votuar në qeveri. Dhe ne që ia kemi dhënë besimin Kurtit, ju lus shqyrtone a është në rregull ky drejtim në vend, apo duhet ta ndihmojmë Kosovën me mocion ta shkarkojmë”, u shpreh Haradinaj, duke thënë se demokracia e Kosovës do të vazhdojë në një momentum të ri politik.

“Nëse ne heshtim, për fat të keq po bëhemi bashkëpjesëmarrës”, tha tutje Haradinaj.

“Dita e sotme kur Kosova ulet në tavolinë e ndëshkuar me sanksione, duhet ta japim mocionin ta nxjerrim Kosovën nga drejtimi i gabuar”, u shpreh ai.

Selmanaj: Qeveria Kurti po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës – Kuvendi spektatori i fundit se çka ndodh në Bruksel

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj para deputetëve në Kuvendin e Kosovës ka thënë se sot është dita e 78 që Kosovaështë nën sanksione e vendosur nga aleatët tanë.

Selmanaj tha se sot aleatët që dikur bombarduan Serbinë, janë bërë bashkë për të ndëshkuar këtë Qeveri, e përmes saj edhe popullin e Kosovës.

Sipas tij, Qeveria Kurti po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës.

“Falë mos koordinimit me aleatët nga Kryeministri Kurti, ata që bombarduan Serbinë, u bënë bashkë per të ndëshkuar këtë Qeveri, e përmes kësaj edhe popullin. Edhe sa ditë na duhen që ekonomia e Kosovës të gjunjëzohet nga sanksionet kundër Kosovës. Ajo cka është e konfirmuar se kjo logjikë e Qeverisë po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës”, tha ai.

Deputeti i LDK-së gjithashtu foli edhe për takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel. Ai tha se Kryeministri duhej të raportonte në Kuvend se për çfarë teme do të fliste atje, e të koordinohej.

“Sot ndodh një takim në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit. Më thoni a e din kush agjendën për cka takohen, a keni idenë më të vogël cila është tema. Po ju kujtoj qe Kuvendi ka miratu tri rezoluta, që qeveria të raportoj në Kuvend. Kjo qeveri e ka shnderru Kuvendin ne spektatorin e fundit se cka ndodh në Bruksel. Ky takim a po bëhet me koordinim apo pa koordinim, në koordinim me kë?”, tha ai para deputetëve.

​Deputetët me një minutë heshtje për viktimat në Libi dhe Maroko

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për të gjitha viktimat e përmbytjeve në Libi dhe nga tërmeti në Marako.

Para fillimit të seancës plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në konsultim me të gjitha grupet parlamentare kanë vendosur të mbajnë një minutë heshtje për të gjithë ata që humbën jetën në këto dy katastrofa.

“Ne i pamë me shumë trishtim përmbytjet që ndodhën në Libi dhe tërmetin në Maroko, prej të cilave katastrofa humbën jetën me mijëra qytetarë të këtyre dy vendeve. Prandaj në konsultim edhe me grupet parlamentare, vendosëm që të mbajmë një minutë heshtje për humbjen e jetës së të gjithë atyre personave në këto katastrofa”, tha Konjufca.

Nga përmbytjet në Libi, raportohet për mijëra njerëz të vdekur apo të zhdukur, qindra ndërtesa e rrugë të shkatërruara dhe zona të tjera të zhytura në ujë.

Ndërkaq, në tërmetin e datës 8 shtator në Maroko kanë vdekur më shumë se dy mijë persona.

Deputetët e Listës serbe të pranishëm Kuvend

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë dy seanca plenare, një të rregullt e një të jashtëzakonshme.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të vijnë në sallë, por gjithashtu janë parë dhe deputetët nga Lista serbe.

Nëse deputetët e Listës serbe kanë kanë ardhur vetëm për t’u nënshkruar apo jo, kjo mbetet të shihet.

Ndërkaq, ky është rendi i ditës për dy seancat e sotme:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Seanca e jashtëzakonshme:

Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat