Dëshmon në Hagë ish-oficeri Britanik, përmend komandant Drinin e Fatmir Limajn

Aktuale

Dëshmon në Hagë ish-oficeri Britanik, përmend komandant Drinin e Fatmir Limajn

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 08:14 Përditësuar në ora: 18:08 më 14.09.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

​Ish-oficeri britanik: Për Xhafiqin kemi marrë informacion vetëm që është rrëmbyer

Ish-oficeri i ushtrisë britanike, Douglas Young, e ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve. Kjo dëshmi lidhet me Ymer Xhafiqin që sipas tij ishte rrëmbyer por për të cilin nuk tregoi asnjë provë që ishte mbajtur nga UÇK apo që ishte keqtrajtuar.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ai është përgjigjur në pyetjet e avokatëve mbrojtës si dhe trupit gjykues.

Derisa është intervistuar nga mbrojtja e Kadri Veselit, është bërë e ditur se Xhafiqi në atë periudhë ishte i regjistruar në MUP-in serb.

Avokati Emmerson: Në hetimin që keni bërë keni vërtetuar që ai ishte oficer i MUP-it i regjistruar, apo jo?

Dëshmitari Young: Ishte oficer i regjistruar në mënyrë të rregullt që atë ministri, me sa kam kuptuar roli i tij që nga fillimi ishte të merrej me dokumente.

Avokati Emmerson: Por siç e dini, si pjesëtar i forcave të armatosura i regjistruar në mënyrë të duhur dhe i uniformuar nuk ka rëndësi a jeni kuzhinier apo merreni me trafikun.

Dëshmitari Young: Nuk e di as njërën as tjetrën, nuk e di a e ka pasur uniformën apo jo, në kohën kur është ndaluar.

Avokati Emmerson: A është e saktë që në atë kohë po zhvilloheshin operacione ushtarake të MUP-it në Kosovë dhe afër kufirit, dhe menjëherë në afërsi të zonës ku ju keni bërë hetimin, përpara dhe pas në këtë zonë ku forcat e MUP po përdornin fuqi për të sulmuar UCK-në?

Dëhsmitari Yoing: Më duket pyetja e vështirë, bëhet fjalë për një person që shkonte në punë nuk po flasim për pjesën morale të historisë.

Avokati Emmerson: Por operacione e MUP-it, edhe ata në fakt në një farë mënyre po shkonin në punë kur bënin luftime, bëhet fjalë kemi forcat e MUP-it që po luftonin kundër UCK-së përpara dhe menjëherë pas kësaj ngjarje.

Emmerson e ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit lidhur me hetimin që ai e kishte kryer në kuadër të misionit vëzhgues në Kosovë.

Aty u bë e ditur se në atë zonë ku po kryheshin hetime më 9 mars, një ditë më herët kishte pasur të shtëna në mes të MUP-it dhe UÇK-së.

Në këtë kontekst dëshmitari e pranoi se këto forca ishin rrezik për pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje, Emmerson është ndalur edhe te takimi që dëshmitari pretendon ta ketë zhvilluar më Fatmir Limajn në Tërpezë.

Ai ka lexuar përmbledhjen e takimit e cila ishte e vendosur atë kohë në raport, ku thuhej se “përpjekjet për të bërë një bisedë personale tek polici shqiptar i MUP-it, Xhafiqi, që ishte marrë nga shtëpia në mars 1999, ishin të pasuksesshme”.

Young kishte deklaruar se atij i ishte konfirmuar që komanda e lartë e UÇK-së e kishte nën ruajtje Xhafiqin dhe se do ta trajtonin sipas konventës së Gjenevës si dhe “do ta lironin në momentin që operacionet e ushtrisë jugosllave të MUP-it në zonën kufitare do të ndërpriteshin.

Emmerson u interesua të dijë nëse dëshmitari ka ndonjë provë se personi në fjalë ishte keqtrajtuar, por Young nuk arriti të dëshmojë diçka të tillë.

 

Avokati Emmerson: Ju keni ndonjë provë për të thënë që ai ishte trajtuar në kundërshtim me Konventën së Gjenevës, keni ndonjë provë për këtë?

Dëshmitari Young: Jo. Mua më kishin garantuar, personin që kisha takuar më garantoi që do të trajtohej në përputhje me Konventën e Gjenevës ndonëse unë kisha shqetësimet e mija.

Avokati Emmerson: As në ato momente nuk doli gjë nga pikëpamje e provave e as më vonë, që do të tregonin ty apo të tjerëve që ky person nuk ishte trajtuar në përputhje me Konventën e Gjenevës, apo t ishte keqtrajtuar në ndonjë formë?

Dëshmitari Young: ...prova për këtë nuk kam.

Avokati Emmerson: Kush ua tha këtë?

Dëshmitari Young: Më pas, kur isha në Kosovë, pyeta a ka marrë vesh njëri çka ndodhi me këtë rast, nuk mund të them me siguri nga më erdhi informacioni por mbase kam lexuar ndonjë gjë në gjykatën e TPNJ-së, nuk është dëshmia ime kjo, është mënyra si e kuptoj unë, një burim i tretë ka thënë që personi është keqtrajtuar dhe më pas është vrarë.

Në këtë pjesë të intervistimit kryegjykatësi Smith i ka bërë të ditur avokatit Emmerson se i ka përfunduar koha e pyetjeve, ndërsa dëshmitari shkurtimisht është përgjigjur në pyetjet e turpit gjykues.

Dëshmitari u ka thënë atyre se qëndron prapa deklaratave të mëparshme të tij ku ka thënë se Xhafiqi ishte nëpunës civil.

Young: Supozova se ndalimi i Xhafiqit mund të jetë nga UÇK

“I qëndroj kësaj, e vetmja që mund të shtoj është që unë supozova se hyrja e MUP mund të jetë lidhur nga UÇK me zotin Xhafiqi sepse ai jetonte në zonë, ata mund të kenë thënë ‘ky është ankuar, ky ka parë flamur shqiptar në zonë’, dhe për shkak të faktit se ai raportonte në zonën ku jetonte kjo në mënyrë të tërthortë solli atë që bëri MUP-i, ky është thjesht hamendësimi im, asgjë më shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa kur është pyetur se si e ka mësuar për ndalimin e Xhafiqit, dëshmitari ka thënë se kjo ishte bërë e ditur përmes radios nga shtabi i misionit.

Young: Për Xhafiqin kemi marrë informacion vetëm që është rrëmbyer

“Informacioni i parë që kemi marrë është që thjesht është rrëmbyer, dhe u hamendësua që nëse ishte rrëmbyer atëherë do tak ishte rrëmbyer dikush nga ana e shqiptarëve. Por nuk pati informacione në ato momente se për llogari të kujt kishte ndodhur përveç që nga ana shqiptare...Kjo frazë është e një raporti që unë e kam parë vetëm gjatë një dëshmie, nuk jam i sigurt për fjalën komandë, por Shtabi i Përgjithshëm me siguri u përmend më vonë gjatë asaj dite. Në fillim unë pata përshtypjen që dikush i lidhur me UÇK-në ishte i përfshirë, por thjeshtë përfshirje e UÇK-së, jo shtabit të përgjithshëm në atë fazë”, ka thënë ai.

Dëshmitari insistoi se personi me të cilin ishte takuar në Tërpezë për të biseduar për Xhafiqin, ishte Fatmir Limaj.

Sipas tij, ai e kishte pranuar që i ndaluari është në duart e UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij, Young ka bërë të ditur se takimi me personin për të cilin pretendon se ishte Limaj, është zhvilluar me përkthyes.

Young: Limaj tha që fle në emër të Shtabit të Përgjithshëm

“Nëse e kam kuptuar mirë përkthimin, zoti Limaj vet e pranoi ose e tha që fliste në emër të Shtabit të Përgjithshëm, së pari tha që personi në fjalë ishte nën kontrollin e Shtabit të përgjithshëm dhe së dyti zoti Limaj kishte njohuri të drejtpërdrejt, kështu që nëse i mbledh këto të dyja bashkë, unë e kuptova që ai fliste ne emër të Shtabit të Përgjithshëm ose që e prezantoi vetën se fliste në emër të Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

Në fund të seancës, disa prej pyetjeve të mbrojtjes janë bërë në seancë private ndërsa është bërë e ditur se dëshmisë së ish-oficerit britanik i ka ardhur fundit.

Dëshmitari i 25 ka shërbyer në kuadër të misionit Vëzhgues Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, pastaj edhe misionit të OSBE-së.

Ai ka thënë se është kthyer në Kosovë edhe pas luftës, kësaj radhe si pjesë e KFOR-it.

Në prezantimin e tij nga prokuroria, është thënë se dëshmitari ka bashkëpunuar me UÇK-në për gjetjen e personave sipas tyre të rrëmbyer nga UÇK.

Douglas Young është dëshmitari i tretë ndërkombëtar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve i cili njësoj si dy të tjerët ka dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seancë të hapur për publikun.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën e 25 shtatorit me dëshmitarin e radhës së ZPS-së.

Ky proces gjyqësor ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ish-oficeri i ushtrisë britanike deklaron se s’ka thënë që personi i ndaluar ishte nën autoritetin e shërbimit të inteligjencës së UÇK-së

 Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike në cilësi të dëshmitarit të 25-të (me kodin 03724)), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe JakupK rasniqit, tha se ai personalisht nuk ka thënë se personi i ndaluar për të cilin bënin negociata ishte nën autoritetin e shërbimit të inteligjencës së UÇK-së.

Këtë deklarim, ai e bëri duke vazhduar të përgjigjet në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘‘Unë nuk kam thënë, s’kam bërë asnjë deklaratë se ky person ishte në duart e inteligjencës’’, tha ai.

Paraprakisht, një pjesë e pyetjeve ndaj tij është zhvilluar në sesion privat.

Në vazhdim, ai tha se ata si Mision i Verifikimit në Kosovë (MVK) kishin komunikimin më shumë në nivele lokale në krahasim atë amerikan që sipas tij kishin kontakte të nivele më të larta.

Ai tha se ata kanë pasur verifikuesit e tyre edhe në qendrën qendrore të MVK-së dhe se vlerësimet i kanë bërë vetë.

Lidhur me kolonelin Jon Crossland, ai tha se kishte bërë trajnim në terren me të dhe se ishte njeri me përvojë dhe shumë i spikatur.

Ai tha se e mban mend se me të ishte takuar me një komandat por se nuk është i sigurt nëse ai është Ramush Haradinaj.

Tutje, dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse Crossland ka folur lidhur me atë se nuk ka pasur bashkërendim të madh mes zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm apo se ka folur për mundësinë e Shtabit për të komanduar operacionet.

Për personin e quajtur David Willson, ai tha se nuk e di pozitën e tij konkrete por se ka qenë si shef në zyrën ndërlidhëse në Prizren dhe se dy verifikuesit i raportonin Willsonit.

Kurse, kur avokati Emmerson lexoi pjesë të një raporti ku thuhet nga përshkrimi i përgjithshëm se ishte me vështirësi monitorimi i UÇK-së për shkak të mungesës së hollësive konkrete për strukturën e tyre, dëshmitari pohoi se ka qenë e vërtetë dhe se pjesë e vështirësisë ishte edhe pika e kontaktit, se ku do të takoheshin me ta.

Më tej, janë lexuar pjesë nga një raport i Willsonit për të parë nëse përshkrimet e tij përputhen me atë se çka dëshmitari kishte parë.

Dëshmitari pohoi se është e saktë se viti 1998 ka qenë vit i vështirë për UÇK-në, por se rritjet e tyre të hershme dhe përgjigjet ndaj forcave armike bënë që UÇK-ja të shkrihet më shumë se ç’duhej.

Ai tha se ka dëgjuar nga burime të shumta për atë që kishte ndodhur sidomos se qindra shqiptarë ishin zhdukur si rezultat i zhvendosjes.

Po ashtu, ai tha se pajtohet me atë se UÇK-ja nuk ka qenë e organizuar sipas standardeve të tyre apo standardet e Kosovës së sotme.

Ai tha se është e vërtetë se fshatarët janë organizuar dhe kanë luftuar por se në syrin e tij UÇK-ja nuk ka qenë tërësisht kautike sepse për të ata ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe shumë shpejt ishin të gatshëm të mobilizoheshin.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se nuk kishin detaje konkrete për strukturën e UÇK-së

 Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, tha se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Dëshmitari e bëri këtë deklarim, duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Filimisht, avokati Mishetiq i lexoi një pjesë të raportit të OSBE-së ku ishin përmendur vështirësitë e monitorimit për shkak të detajeve jo të mjaftueshme për strukturën e UÇK-së në fund të shkurtit 1999.

Lidhur me këtë, ai tha se nuk kanë pasur detaje konkrete siç kanë pasur për forcat serbe, ndonëse nuk ishte edhe pa asnjë informacion, duke shtuar se po punonin për të mbledhur sa më shumë informacione në interes të paqes dhe në interes të vet UÇK-së.

Paraprakisht, Young tha se nuk e njeh dikë me emrin Nikolas, ndërkaq kur u pyet për takimin në Trepezë, avokati Mishetiq kërkoi të kalohet në seancë private dhe se disa pyetje janë zhvilluar në sesion privat.

Tutje, i pyetur nëse sipas tij formacioni më i lartë i UÇK-së nënkuptonte Shtabi i Përgjithshëm, ai u përgjigj me ‘‘po’’, por pranoi se nuk ka pasur kontakte të mirëfillta me ta.

Në vazhdim, dëshmitari u pyet për personin Milaim Mazreku që në një raport ishte thënë se ishte shok me Komandant Çelikun.

Për të, Young tha se kishte pasur marrëdhënie të mira me të dhe se e dinte se ka kryer universitetin me ‘‘Çelikun’’, por se nuk kishte njohuri nëse ata ishin shokë apo jo.

Gjithashtu, tha se përmes Mazrekut janë përçuar mesazhe për përfaqësues lokalë të UÇK-së, por tha se atë më shumë e ka prezantuar si kryetar i Komunës së Malishevës sesa si anëtar i LDK-së.

“Edhe pse Mazreku ishte anëtar i LDK-së, ishte i rëndësishëm dhe se konsiderohej si të ishte kryetar i Malishevës, kështu e kam prezantuar unë më shumë si kryetar i komunës sesa si anëtar i LDK-së, ishte edhe vetë i kujdesshëm mos me u prezantua si figurë politike, por përpiqej me i prezantu më së miri të gjithë njerëzit e Malishevës’’, tha Young.

Në vazhdim të seancës, dëshmitari ka filluar të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson.

Dëshmitari pohoi se funksionet e Misionit Verifikues në Kosovë (MVK) u rritën pas marrëveshjes për armëpushim dhe se situata ka qenë e ndjeshme për shkak të demantimit nga shqiptarët se si komuniteti ndërkombëtar kishte rënë dakord me këtë marrëveshje dhe se brenda territorit të Kosovës kishin mbetur ende forca të armatosura të Serbisë.

Ai pohoi se MUP-i kishte ende automjete të blinduara dhe kamionë për transportimin e armëve dhe mjeteve të tjera.

Young tha se ata monitoronin zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit por edhe çështjet e të drejtës humanitare, por theksoi se një konfrontim ushtarak mund të ndodhte dhe mos të kishte shkelje të ligjeve humanitare.

Tutje, dëshmitari tha se ka pasur incidente edhe tjera por se masakra e Reçakut ishte shkelja kryesore më e madhe dhe e parë e marrëveshjes së armëpushimit.

Ai u pajtua se Reçaku ka qenë pikë kthese në vendosmërinë e ndërkombëtareve që Kosova të mos bëhet një Bosnje tjetër.

Sipas tij, ka pasur një cikël dhune, duke shtuar se “ka pasur dijeni që UÇK-ja ka gjuajtur në drejtim të MUP-it para se të ndodhë Reçaku, dhe Reçaku ishte përgjigja që i dha situatës MUP-i’’.

Po ashtu, ai tha se ka njohuri se janë bërë biseda mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe amerikanëve, britanikëve, gjermanëve e të tjerë, por se nuk e di se ku kanë ndodhur takime të tilla. Ai shtoi se e dinte se kanë mundur të ndodhin edhe jashtë Kosovës.

Young tha se është në njohuri se bisedat nëse dhe kur perëndimi do bombardonte Serbinë dhe si do ishte mënyra e duhur që të vepronte UÇK-ja, ishin biseda sekrete të bëra mes shërbimeve sekrete të vendeve.

Ish-oficeri i ushtrisë britanike thotë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike ka thënë se shqiptarët kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtjes së Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga marrëdhëniet e mia të zgjeruara me shqiptarët dhe veteranët e UÇK-së ishte pjesërisht nga psikologjia kombëtare dhe karakteri kombëtar që ata dëshironin që forca e tyre të shihej si e nderuar dhe përfaqësues të fitores kombëtare, dua të them se kishin karakter të fortë kombëtar dhe ndjesi të lartë patriotike”, tha dëshmitari Young.

Këtë e tha si arsyetim se pse kishte thënë se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dëshironin të shiheshin si ushtri e organizuar.

Kurse, si arsye të parë ai tha se kishte që UÇK-ja të prezantohej në mënyrë sa më të mirë para organizatave ndërkombëtare në mënyrë që të demonstronin legjitimitet dhe të ekzagjeronin nivelin e organizimit në krahasim me çka ishte në realitet për të inkurajuar shtetet të ndihmonin UÇK-në.

Po ashtu, dëshmitari Young tregoi se sa i përket komunikimit kishte qenë dëshmitar se ushtarët nuk kishin pasur radio-lidhje dhe se ishin shkrepur plumba në ajër dhe me armë pa pushim, sipas tij për të dhënë udhëzimin Komandant Drini për armëpushim.

Lidhur me pikat e kontrollit, ai tha se personalisht kishte kaluar në dy prej tyre por se kishte parë edhe të tjera.

Në anën tjetër, i pyetur për deklarimin e mëparshëm se kolegu i tij kishte takuar “10-shin”, ai tha se nuk kishte qenë në njohuri se kush ishte apo nëse ishte një person apo një departament.

Duke i lexuar pjesë të deklaratës së dëshmitarit në TPNJ u tha se kishte deklaruar se kolegu i tij e kishte njohur “10-shin” si përfaqësuesin e shefit të inteligjencës apo se në raportin për incidentin të misionit verifikues kishte thënë se kolegu njohu shefin e operacioneve sekrete të UÇK-së.

Dëshmitari sërish u pyet për takimin e tij me Fatmir Limaj, ku dha detaje se fillimisht kishte qenë takimit me Skenderin, i cili i udhëzuar nga Komandant Drini i kishte çuar në vendtakim në Trepezë.

Ai tha se në atë takim i njëjti kishte qenë me qëndrimin se Komandat Drini iu kishte dhënë qasje te personi në fjalë, por se aty kishte qenë i vetëdijshme se kishte të bënte me një nivel më të lartë dhe mbi Komandant Drinin.

Young tha se para se të largohej nga takimi, kolegët e tij i kishin informuar se personi që takuan ishte Fatmir Limaj – Komandat Çeliku.

I njëjti sqaroi se ai takim ka qenë me mosmarrëveshje pasi sipas tij Limaj i kishte thënë se Young ka simpati ndaj serbëve dhe kishte përmendur personin e zhdukur, andaj sipas tij nuk ishte e kuptueshme që të kthehej nga makina për të verifikuar identitetin e tij.

Sipas tij, shqetësuesi ishte edhe fakti se po përballej me një person që nuk ishte nën kontrollin e Komandat Drinit dhe se ai ishte ndjerë i pasigurt.

Dëshmitari tha se ky person po fliste në emër të niveleve më të larta dhe qartësisht iu kishte thënë se personi tanimë është nën kontroll të Shtabit të Përgjithshëm dhe se sipas tij i binte se negociatat e deritanishme me Komandant Drinin nuk kishin vlerë.

Ndërkaq, i pyetur nëse asnjëherë s’kishte pasur dyshime se ai ishte personi që i ishte thënë se ishte, dëshmitari tha se ai kishte pasur njohuri të mëparshme për llojet e operacioneve që personi ishte i përfshirë në parë dhe se emri përputhej me paraqitjen e tij.

-------------------------

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin përsëri të enjten para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

Seanca pritet të fillojë nga ora 09:00.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat