Selmanaj për takimin në Bruksel: Me koordinim a pa koordinim?

Aktuale

Selmanaj për takimin në Bruksel: Me koordinim a pa koordinim?

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 12:35
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai u shpreh se nuk dihet agjenda e këtij takimi, për çka pyeti se “a po mbahet me koordinim apo jo”.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Selmanaj u shpreh se Kosova është në ditën e 78 që është nën sanksionet e vendosura nga aleatët euroatlantik.

Selmanaj: Ky numër koincidon me 78 ditë të bombardimeve kundër Serbisë

“Ky numër i ditëve koinçidon me 78 ditë të bombardimeve kundër Serbisë. Qytetarë të republikës, krahasojeni dy situata: situata e parë më 1999, Kosova e okupuar dhe në luftë, Kosova me qeveri në ekzil, Kosova me shumë pak buxhet të inkasuar nga diaspora, Kosova pa asnjë ambasadë, Kosova pa asnjë konsullatë. Falë koordimit me aleatë nga burrështetasit pragmatik si presidenti Rugova, Kosova arriti t’i bind fuqitë euroatlantike që ta ndihmojnë çlirimin e Kosovës dhe ta bombardojnë Serbinë për 78 ditë rresht, deri në gjunjëzimin e plot të saj. Situata e dytë, Kosova në vitin 2023, Kosova në liri, Kosova shtet sovran dhe i pavarur, Kosova me qeverinë në Prishtinë, Kosova me buxhet tre miliardë euro, Kosova me 117 njohje ndërkombëtare, Kosova e anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, Kosova me 33 ambasada nëpër gjithë botën. Falë mos koordinimit me aleatët dhe politikave e sjelljeve të papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit Kurti, miqtë tanë euroatlantik, po ata që e bombarduan Serbinë, përsëri janë bashkë, mirëpo kësaj here për të ndëshkuar politikën e kësaj qeverie”, u shpreh ai.

Më tej, Selmanaj tha se qeveria e ka shndërruar Kuvendin në spektatorin e fundit që kupton çfarë po ndodhë në Bruksel.

Selmanaj: Ky takim a po bëhet me koordinim a po koordinim?

“Edhe sa ditë na duhen neve që ekonomia e Kosovës të demolohet, të gjunëzohet nga sanksionet kundër Kosovës. Ajo çka është e konfirmuar është që kjo logjikë qeverisëse po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës. Çdo shpjegim tjetër nuk ka vend. Sot po ashtu ndodhë një takim në Bruksel mes kryeministrit tonë Kurti dhe presidentit Vuçiq, më thoni ju a e dini kush agjendën se për çfarë takohen këta dy njerëz? Më thoni ju mua a e keni idenë ju më të vogël se cila është tema që do ta diskutojnë këta... Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim? Përgjigja është që me koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe me forcat politike në Kosovë jo. Në koordinim me kë?”, ka shtuar Selmanaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat