“Po i sjell në gisht”/ Isa Mustafa i reagon Ganimete Musliut që ia përmendi “fitoren me duar në xhepa” duke ironizuar me Kurtin

Aktuale

“Po i sjell në gisht”/ Isa Mustafa i reagon Ganimete Musliut që ia përmendi “fitoren me duar në xhepa” duke ironizuar me Kurtin

Nga: M.L. Më: 18 shtator 2023 Në ora: 18:22
Isa Mustafa

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryeministri Isa Mustafa ka reaguar pas deklarataës së sotme të kryeministrit Albin Kurti se nëse do të mbaheshin zgjedhjet tani do ta “zhduknin” opozitën.

Më konkretisht Mustafa është ndalur tek deklarata e deputetes së PDK-së Ganimete Musliu e cila i ka reaguar Kurtit duke u thirrur në deklaratën e tij, se “Prishtinën e fiton me duar në xhepa”.

“A ju kujtohet Isa Mustafa kur pat thënë Prishtinen e fitoj me duar në xhepa? Nga atëher LDK-së ju patën dashtë 8 vjet me kthy e pushtetin. Qytetaret nuk e durojnë arrogancen e pushtetarëve!”, ka shkruar mes tjerash Musliu në reagimin e saj.

E ish kreu i LDK-së, ka përmendur punët që i ka bërë për Prishtinën atëherë kur thoshte se fiton me duar në Xhepa.

“Po lexoj sot disa deklarata dhe shkrime që mundohen të kundërshtojnë z. Kurti i cili kishte thënë se zgjedhjet tani do ta zhduknin opozitën. Si argument të tyre kundër Kurtit e marrin deklaratën, time të para 11 viteve se zgjedhjet në Prishtinë do t’i fitoj me duar në xhepa. Në mandatin që kisha dhënë këtë deklaratë në Prishtinë kishim ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet dhe fshatra, mbi 30 terrene sportive e shumë qendra mjekësore, kishim filluar me të madhe gjelbërimin e qytetit, punohej në përfundimin e Fabrikës së ujit në Shkabaj, në investimet në koogjenerim për ngrohje të qytetit nga TC Kosova B, punohej në ndërtimin e Sheshit Ibrahim Rugova dhe atij Zahir Pajaziti, përfundohej rruga B, që është shndërruar tani në qendër alternative të Prishtinës, përfundoheshin kolektorët dhe ndërtimi i rrugëve mbi ta në Lakrishtë dhe te banesat sociale, trajtohej unaza e jashtme e Prishtinës.... Këto nuk bëheshin me duar në xhepa, siç mendojnë disa sot. Unë besoja në punët që i bënim”, ka thënë ai.

Mustafa ka shtuar se atë kohë, u bashkuan të gjithë me z. Kurti kundër LDK-së; të gjithë këta që sot duan ta rrëzojnë.

Andaj ai është shprehur se deklarata e sotme e kryeministrit Kurti korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet.

“Qartë se ai nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet... në vend të kësaj po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike. Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni. IM”, ka përfunduar Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat