​Ministri Krasniqi: Ende s’ka nisur asnjë peticion për shkarkimin e kryetarëve në veri

Aktuale

​Ministri Krasniqi: Ende s’ka nisur asnjë peticion për shkarkimin e kryetarëve në veri

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 12:34
Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ende nuk nisur asnjë peticion nga qytetarët në veri për shkarkimin e kryetarëve.

Ani pse janë bërë rreth dy javë që nga hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri përmes peticionit, Krasniqi tha se obligimet ligjore për largimin e kryetarëve i kanë përmbushur dhe se tani mbetet në vullnetin e qytetarëve atje për të nisur hapat tutje. Ai nënvizoi se të gjitha thirrjet për dorëheqje të kryetarëve në veri, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, janë kërkesa të Beogradit.

Krasniqi: S’ka nisur ende ndonjë peticion për largimin e kryetarëve në veri

“Deri në këto momente nuk kemi asnjë informacion dhe unë jam në koordinim me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, në veçanti me këta katër të komunave në veri. Deri tani nuk kemi pranuar ndonjë informacion që është nis ndonjë peticion për largimin e kryetarëve. Mirëpo kjo është pjesa e qytetarëve dhe këtë pjesë nuk mund të komentojë. E rëndësishme ka qenë vullneti i Qeverisë së Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj edhe nga diskutimi i fundit në Bratisllavë”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se zgjedhjet në veri duhet të organizohen vetëm përmes peticionit, i cili sipas tij, dëshmon për funksionimin e demokracisë në atë pjesë.

Krasniqi: Largimi i kryetarëve në veri duhet të bëhet vetëm përmes peticionit

“E rëndësishme në këtë proces është demokracia. Largimi i kryetarëve përmes peticionit është akt demokratik. Ne deri sot nuk kemi pa asnjë protestë të qytetarëve si pakënaqësi ndaj kryetarëve, por për shkak të faktit se ata janë aty përmes një procesi kushtetues dhe ligjor. Është shumë e rëndësishme që këta kryetarë kanë një bazë kushtetuese dhe ligjore për të qenë kryetarë të komunave dhe janë legjitim pasi kanë kaluar në një proces zgjedhor, ani pse numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje ka qenë e vogël. Mirëpo kjo ka një arsye dhe një adresë specifike i cili ëhstë frikësimi i qytetarëve serbë nga Beogradi zyrtar”, shtoi ai.

Duke folur për kërkesat e vazhdueshme të BE-së dhe ShBA-së, që duan garanci më të forta nga Kosova për zgjedhjet në veri, Krasniqi tha se i kanë përmbushur të gjitha zotimet e marrëveshjes së Bratisllavës për shtensionimin e situatës në veri.

Krasniqi: Thirrjet për dorëheqjeve të kryetarëve në veri janë kërkesa të Beogradit

“Kosova është palë konstruktive në këtë proces. Ne kemi tashmë dy herë nga 25 për qind të policisë të larguar nga objektet e komunave. Kemi udhëzimin adminsitrativ që i hapë rrugën të drejtës së qytetarëve për peticion që mundëson largimin e kryetarëve para përfundimit të mandatit. Këtu duhet të vlerësohen si veprime të vullnetit të mirë të qeverisë së Kosovës. S’ka asnjë autoritet që t’i kërkojë një kryetari të komunës të jap dorëheqje. Ky është akt moral. Unë kam komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave dhe ata besojnë se kjo është demokracia. Ne duhet të përkujdesemi për demokracinë dhe jo për dëshirat e kujtdo qoftë. Dhënia e dorëheqjeve është kërkesë e Beogradit dhe ne nuk jemi këtu për t’u brengosur se çka mendon dhe kërkon Beogradi”, deklaroi Krasniqi.

Bashkimi Evropian sot përmes një komunikate për medie sot ka kërkuar shtensionimin e plotë të situatës në veri dhe organizimin sa më parë të zgjedhjeve atje.

Këto komente ministri Krasniqi i bëri para mediave pas dështimit të raportimit të tij në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat