Bardhyl Mahmuti në Hagë flet për Komunikatën nr. 59 të UÇK-së kundër Gani Gecit

Aktuale

Bardhyl Mahmuti në Hagë flet për Komunikatën nr. 59 të UÇK-së kundër Gani Gecit

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 20:24
Bardhyl Mahmuti

Dëshmitari Bardhyl Mahmuti e ka mohuar autorësinë e komunikatës së 59-të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të cilën ishte shpallur tradhtar Gani Geci pas vrasjes së Abedin Rexhës.

Mahmuti ka thënë se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe SHBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova por se nuk është autor i atij dokumenti.

Këtë deklaratë Mahmuti, në cilësinë e dëshmitarit, e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka vrarë civilë. Këtë konstatim, Mahmuti e ka dhënë duke iu përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit të specializuar Filippo De Minicis, raporton Betimi për Drejtësi.

Mahmuti tha se që nga marsi i 1998-ës deri në qershor 1999, ka mbajtur mbi 30 konferenca në seli të Kombeve të Bashkuara dhe se këtë qëndrim e ka përsëritur gjithmonë.

Këto deklarime erdhën pas fillimit të pyetjeve lidhur me një intervistë për gazetarë të huaj, e pretenduar se ka ndodhur më 15 prill 1998 në zyre të gazetës “Zëri i Kosovës” në Zvicër.

Fillimisht Mahmuti tha se kjo datë vë në dyshim vërtetësinë e saj pasi që në atë periudhë nga 11-15 prilli ka qenë në Paris si dhe tha se asnjëherë nuk ka bërë asnjë intervistë me gazetarë të huaj në selinë e kësaj gazete.

“Pa e dit përmbajtjen, ju garantoj asgjë s’ka të vërtetë sa më përket mu”, shtoi ai.

Kur prokurori De Minicis lexoi një pjesë ku thuhet se dëshmitari ka thënë se UÇK-ja ka vrarë vetëm anëtarë të shërbimeve sekrete represive, zyrtarë të veshur me dhe pa uniforma, ai tha se ky ka qenë deklarim i bërë në takimin me Gelbard.

Ai sqaroi kishte thënë se cak i sulmeve të UÇK-së kishin qenë pjesëtarë të aparateve represive dhe se UÇK-ja nuk ka pasur cak vrasjen e civilëve por shkatërrimin e aparateve represive.

Pas këtyre deklarimeve, prokurori paraqiti edhe një komunikatë kur përmendet vrasja e Mustafë Kurtit si bashkëpunëtor i pushtuesit dhe pyeti dëshmitarin se a nuk konsiderohet civil vrasja e një nëpunësi të zyrës postare.

Mahmuti është përgjigjur duke shtruar pyetje: “Unë e përmbys pyetjen me pyetje, çfarë garancie keni që s’ka qenë pjesë e strukturave të aparateve represive ky njeri?”.

Në vazhdim, dëshmitari ka thënë se nuk ka lexuar aktgjykimet dënuese të asnjë procesi gjyqësor që bazën e ka në 27 mijë faqet e shërbimit sekret serb që kanë dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut.

Ai tha se nuk ka lexuar mbi provat e Serbisë dhe se nuk lexon procese gjyqësore të sajuara.

Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se ai ka qenë nënshkrues i njoftimeve nga takimet që ka mbajtur si përfaqësues politik por se tha se “asnjë komunikatë në emër të UÇK-së nuk e ka nënshkruar Bardhyl Mahmuti”.

Ndërkaq lidhur me komunikatën numër 59 për të cilën dëshmitari përmes rrjetit social ‘Facebook’ kishte hedh akuzat e Gani Gecit, i cili kishte thënë se është Mahmuti hartues i kësaj komunikate, ai shtoi se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe ShBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova por se tha se nuk e ka shkruajtur ai,

Lidhur me postime nga ana e tij në këtë rrjet, prokurori e ka pyetur edhe për publikimin ku ka thënë se DhSK-ja dhe ZPS-ja nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë dhe se ata janë ndërmarre politike kriminale që ka për qëllim të dëmtojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat