Haki Abazi tregon se si e njeh Lajçakun: Kurti i ka ditur të gjitha për të

Aktuale

Haki Abazi tregon se si e njeh Lajçakun: Kurti i ka ditur të gjitha për të

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 16:10
Haki Abazi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka treguar se kryeministri Kurti ka qenë i informuar për mënyrën se si ka ardhur Mirosllav Lajçak në pozitën e ndërmjetësit në dialog, informata këto që Abazi tha se ia ka dhënë ai. Mirëpo, sipas tij, Kurti i ka anashkaluar.

Siç ka treguar Abazi, me emisarin Lajçak njihet tash e një kohë të gjatë dhe se ai e ka të pamundur që të rrijë neutral në dialog shkaku që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Me z. Lajçak, në fakt, kemi qenë disa herë panelistë në State Department (Departament të Shtetit) bashkë. Në njërin prej këtyre rasteve ka qenë i ftuar edhe Kurti, të cilit nuk iu ka dhënë viza. Do të thotë, njihemi për një kohë të gjatë. Qëndrimet e mia kanë qenë shumë të qarta që ai nuk mundet me përfaqësu asnjë mendim neutral ndaj Kosovës sepse si ministër i Punëve të Jashtme ka refuzu njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dhe natyrisht ne e dimë që një minoritet sllovak edhe sot jeton në Vojvodinë, dhe interesi primar i Lajçakut është që ta ruajë këtë minoritet, dhe nuk mundet të bëhet shkak i një lloj presioni më të madh sesa e kanë”, ka thënë Abazi.

Kur u pyet se a i ka pasë këto informata Kurti, deputeti Haki Abazi tha se i ka theksuar disa herë në mbledhje të grupit parlamentar të LVV-së, por se nuk iu morën parasysh.

“Absolutisht. Të gjitha. Në grupin parlamentar dëshmitarë janë të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës, ku më është thënë se “e njohim ne Lajçakun, e dimë si do merremi me të. Ky është njeri që na ka dhënë informacionet e sakta për procesin”. Ky ka qenë qëndrimi i Bislimit si kryenegociator. Unë kam qenë decidiv që procesi në të cilin jemi futë, edhe drejtimin të cilin po e udhëheq Lajçaku, keni me përfundu në një përplasje të jashtëzakonshme duke dëmtu interesin e Kosovës”, teksa shtoi se më pastaj ai u largua nga Kurti si kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme.

Ai tutje tha se emisari Lajçak, kur vjen në Kosovë, refuzon të takohet me Abazin. Kjo pasi, sipas tij, ai e di prej nga burojnë qëndrimet e Lajçakut.

“E di shumë mirë Lajçak që unë e njoh që nga baza se nga buron fuqia e tij politike dhe organizimi i tij, përfshirë edhe lobimi i fuqishëm që Serbia ka bo që ai të bëhet lehtësues te kancelarja Merkel, në kohën kur është caktu Lajçak si ndërmjetësues pas Mogherinit. Krejt këto informacione i ka pasë z. Kurti, sot hiqet si viktimë”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat