Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Aktuale

Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 22:19 më 26.09.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Përfundon operacioni policor në Banjskë

Policia ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtë e konfirmoi për KosovaPress, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Mëngjesin e së martës policia do të vendosë se si do të procedohet më tutje.

Gjatë ditës së sotme (e martë) policia në një hotel ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh.

Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar të hënën, numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona.

Mjetet e konfiskuara gjatë së martës përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një ekskavator të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe të armatimit. Përpos kësaj, policia pati sekuestruar armatim në sasi të madhe edhe gjatë së dielës.

Ndryshe, në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.

Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Dhjetëra automjete të KFOR-it nisen në drejtim të Leposaviqit

Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviqit, përkatësisht kufirit të Jarinjes.

Nuk dihet saktë nëse është gjetur diçka në këtë zonë dhe ato kanë arritur në mbështetje të Policisë së Kosovës.

Helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri.

Ndërkaq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë "krehjen" e terrenit edhe në zona malore, në kërkim të gjurmëve të terroristëve.

Në këto momente kur po raporton ekipi i KosovaPress, kanë arritur edhe disa automjete të EULEX-it, të cilat kanë shkuar në drejtim të manastirit të Bajnskës. 

Avokati i njërit prej terroristëve thotë se do të paraqesin ankesë

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zvecanit. Kështu bëri të ditur Dejan Vasiqi avokati mbrojtës i njërit nga të arrestuarit.

Dy terroristët e arrestuar, Blagoje Spasoviq dhe Dushan Maksimoviq, janë larguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me përcjelljen e forcave të shumta policore dhe njësisë speciale.

Avokati i Dushan Maksimoviqit, Dejan Vasiq, paralajmëroi se do të paraqesin ankesë.

Vasiqi: Është një keqkuptim, klienti im Dushani do të deklarojë për ngjarjen se si ka ndodhur

“Ndaj klientit tim Dushan Maksimoviq sot është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj vendimit do të ankimojmë. I kemi vënë në dukje gjykatës disa fakte që besojmë se janë relevante dhe që tregojnë se ky është ndoshta një keqkuptim më shumë se çdo gjë që mund të ketë të bëjë me një vepër penale. Në këtë kuptim, nesër po njoftoj se do të bëj ankim, kështu që do të shohim se si dhe në çfarë mënyre Gjykata e Apelit do t'i shqyrtojë ankesat tona. Dushani dje nuk ishte në gjendje të deklaronte, ishte pak i mërzitur dhe pak i shqetësuar për gjithçka që ndodhi, por unë do të kërkoj që të dëgjohet sa më parë, që do të thotë sa më shpejt, që nesër nëse është e mundur. Ai do të thotë gjithçka që unë mendoj për ngjarjen. Gjyqi është i mbyllur për publikun dhe askush nga ne nuk është i autorizuar të japë detaje”, tha Vasiqi.

Ndërsa motra terroristit Dushan, Biljana Maksimoviq, u shpreh për vëllain e saj se hetimi do të tregojë të vërtetën.

Maksimoviq: Të gjithë jemi më vëllain tim, hetimi do tregojë të vërtetën

“Jam absolutisht e sigurt se hetimi do të tregojë të vërtetën, se e vërteta do të zbulohet në lidhje me rastin e përmendur në lidhje me vëllain tim Dushan Maksimoviq dhe të gjithë ne jemi me të” u shpreh Maksimoviq.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore, për t’u strehuar më pas në Manastririn e Banjskës.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.

U caktohet paraburgimi të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj të arrestuarve për sulmin fshatin Banjkë të Sveçanit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshimtëve për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në seancën dëgjimore të mbajtur, gjyqtari special i Gjykatës në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshimtëve: Ballagosje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.

Detaji tjetër në videon e publikuar nga Sveçla – si tentoi të fshihet Milan Radojçiq pas kapelës?

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje të reja të sulmi në Banjskë, ku shihen terroristet serbë.

Sveçla ka thënë se në këto pamje shihet krimineli, njëherit nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Në fund të videos, shihet qartazi Radojçiq i cili në kokë po mbante një kapele, me të vërejtur dronin shihet teksa largohet.

Sveçla ka thënë see Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Sveçla publikon pamje të reja të grupit terrorist serb në Manastir, në video shihet edhe Radojçiqi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ku shihet edhe krimineli Milan Radojiçiq.

Sveçla tha se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkuan ministri i MPB-së në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.

Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan.

Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.

I caktohet paraburgimi njërit nga të arrestuarit për sulmin terrorist në Banjskë

I është caktuar masa e paraburgimit Dushan Maksioviq. Kjo është konfirmuar nga avokati i tij.

Avokati paralajmëroi se do të paraqesin ankesë ndaj këtij vendimi.

“Dushan Maksimoviqit sot i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojmë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje se sa që ka lidhje me veprën penale.Paralajmëroj për nesër ankesë dhe do ta shohim se si gjykata do ta trajtoj këtë ankesë tonën. Dushani dje nuk ishte në gjendje të jap deklaratë. Ishte pak i shqetësuar për gjithë që ndodhi,por unë do të kërkoj që ai të merret në pyetje sa më parë, nëse është e mundur që nesër. Gjykimi është i mbyllur për opinionin dhe askush nga ne nuk ka autorizim që të jap detaje.. Mendoj se ai do t’i thotë të gjitha për rastin”, ka deklaruar ai.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ai dyshohet se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.

 

Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist kundrejt Policisë së Kosovës në Banjskë, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksivoiq.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ata dyshohen se bashkë më një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme luftarake, të rënda, me dashje, kanë hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake.

Fillimisht, thuhet se kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granata dhe armë të ndryshme, me ç’rast tek ura afër Manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri Dushan Maksivoiq thuhet se më 24 shtator 2023, rreth orës 02:45, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar terrorist, të armatosur me armë të rënda të llojeve të ndryshme luftarake, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjes e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Prokuroria ka vlerësuar se duke marrë parasysh faktin se të pandehurit janë shtetas të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar dhe rrethanat që e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që nëse lihen të lirë do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër.

Madje, në këtë kërkesë, Prokuroria potencon se mundësinë e arratisjes duhet ndërlidhur me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden në liri.

Aty thuhet se është vlerësuar se duke marrë parasysh veprën penale dhe mënyrën dhe rrethanat të cilat është kryer vepra si dhe pasojat e saj nga të cilat është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku si dhe është plagosur polici tjetër, Alban Rashiti, tregon mjaftueshëm se nëse të pandehurit lihen në liri mund të tentojnë t’i ndryshojnë provat duke ndikuar tek të tjerët që gjinden në liri.

Në kërkesën e PSRK-së, potencohet se pesha e veprave penale është e rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me sigurinë e vendit.

Tutje, thuhet se Prokurori Special duke u bazuar në rrethanat e rastit, ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve është mësë i deomosdoshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në zonën rreth Banjskës

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.

Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.

​Shtohen forcat të policisë dhe KFOR-it në Banjskë

Shumë automjete të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, janë duke qarkulluar tek udhëkryqi i Bajnskës, disa prej të cilave po kthehen në drejtim të manastirit, ndërsa të tjerat po vazhdojnë në drejtim të kufirit të Jarinjes.

Vërehet numër më i madh i pjesëtarëve të policisë sesa gjatë ditës së djeshme gjithandej magjistrales Zveçan - Leposaviq – Jarinje.

Po ashtu një helikopter i KFOR-it herë pas herë është duke vëzhguar situatën nga ajri në këtë zonë.

Burime të KP bëjnë të ditur se në zonën përreth manastirit policia ka identifikuar edhe një automjet në të cilin dyshohet të ketë armatim.

Situata aktualisht këtu është e qetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat