Analistët: Kryetarët në katër komuna në veri, të japin dorëheqje

Aktuale

Analistët: Kryetarët në katër komuna në veri, të japin dorëheqje

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:17
Foto ilustrim

Ndonëse me Udhëzimin Administrativ parashihet që nëpërmjet peticionit të mund të shkarkohen kryetarët shqiptarë të komunave veriore, analistët kosovarë thonë se s`duhet pritur këtë formë, por ata duhet të japin dorëheqje, në mënyrë që të ecet më tutje.

Ka më shumë se tri javë që kur Udhëzimi Administrativ që i mundëson qytetarëve të katër  komunave në veri të Republikës, shkarkimin e kryetarëve përmes një peticioni, ka përfunduar.

Megjithatë, puna në terren për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut ende nuk ka filluar.

Kjo nismë sipas ministrit të Ministrisë e cila e ka hartuar këtë udhëzim, Elbert Krasniqi është e vetmja mënyrë që në atë pjesë të shpallen zgjedhjet, dhe çdo kërkesë tjetër për këtë proces siç është ajo përmes dorëheqjeve, sipas tij është në një linjë me Beogradin. 

 “Ne nuk jemi këtu për tu brengosur se çka mendon dhe çka kërkon Beogradi, ne jemi këtu si përfaqësues të institucione të kujdesemi për demokracinë për funksionalizimin e institucioneve", tha ai.

Por, njohësit e çështjeve politike në vend nuk e ndajnë të njëjtin mendim me Krasniqin.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika deklaron se kryetarët e zgjedhur në katër komunat e veriut duhet të japin dorëheqje.

" Mendoj që kjo nuk ka asnjë arsye, asnjë ditë të zgjedhurit në Mitrovicë, të rrinë atje. Po kjo është përgjegjësi e Qeverisë, Presidentes kryesish, por edhe i të zgjedhurve atje, se nuk mund të jesh përfaqësues me 100 vota, as në lagjen tënde, as në banesë tënde, e lëre më në një komunë ku ka mijëra votues", tha ai.   

Analistët kosovarë thonë se dorëheqjet e kryetarëve shqiptarë në veri janë mundësi për të ecur tutje më shpejt

Në lidhje me këtë çështje, analistët thonë se Udhëzimi Administrativ mund të ketë problem kushtetues dhe mund ta komplikoi situatën, gjendje kjo e cila nuk do të ishte e favorshme për Kosovën.

"Mundësia më e mirë dhe më logjike është dorëheqja e katër kryetarëve dhe fillimi i procedurave, për zgjedhje të reja sepse ky veprim do të ishte edhe në harmoni me kërkesat ndërkombëtare, por edhe me fuqizimin e rolit të Kosovës si palë konstruktive. Çdo komplikimi i situatës i shkon në dëm Kosovës, lidershipit dhe qytetarëve", tha ai.

Ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ të hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal,  në mes tjerash, thuhet se nëse ka vullnet qytetar të mbledhin 20 përqind të nënshkrimeve, pastaj do të organizohet votimi për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit.

Dhe nëse rezultati është 50 +1 votë, do të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut dhe kudo që kjo iniciativë iniciohet nga qytetarët e komunave të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat