Konfliktet ndër vite në veri, dy policë u vranë në krye të detyrës

Aktuale

Konfliktet ndër vite në veri, dy policë u vranë në krye të detyrës

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 11:20
Konfliktet ndër vite në veri, dy policë u vranë në krye të detyrës

Mëngjesin e së dielës, Policia e Kosovës u sulmua me arsenal armësh zjarri në veri, ku nga gjuajtjet me armë zjarri, polici A.B nga Vushtrria mbeti i vrarë, ndërsa polici A.R mbeti i plagosur.

Policia njoftoi se gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, bëri të ditur Policia.

Tutje, Policia njoftoi se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Ky është rasti i tretë, që një polic i Kosovës vritet në veri. Më 25 korrik të vitit 2011 ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Zymberi ishte vrarë gjatë një aksioni të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për marrjen e pikave kufitare në veri të vendit.

Po atë ditë, ROSU kishte hasur në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale që atë kohë quheshin “ROSU” që nga viti 2000.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i kishte  dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Përveç Zymberit, në vitin 2012 ishte vrarë edhe polici Selver Haradinaj.

Në banesën e Selver Haradinajt, ishin vendosur mjete eksplozive.

Sulmi ndaj tij kishte tronditur gjithë qytetin e Mitrovicës.

Ndryshe, lidhur me zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta, ku krerët e shtetit kërkuan nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin masa ndaj shtetit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat