Borrell ndryshon qasje: Pas telefonatave me Kurtin e Vuçiqin kërkon që sulmuesit terroristë të dorëzohen menjëherë

Aktuale

Borrell ndryshon qasje: Pas telefonatave me Kurtin e Vuçiqin kërkon që sulmuesit terroristë të dorëzohen menjëherë

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 19:20
Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas sulmeve në veri të vendit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku kurse i plagosur polici Alban Rashiti.

“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së.

Ai dënoi ashpër agresionin e sotëm.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur.

Përfaqësuesi i Lartë ka telefonuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e BE-së.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.

BE tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s.

“Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat