“Vuçiç me agresiv me deklaratat”, eksperti: Rusisë i intereson konflikti, kjo është mundësia e vetme për zgjidhje

Aktuale

“Vuçiç me agresiv me deklaratat”, eksperti: Rusisë i intereson konflikti, kjo është mundësia e vetme për zgjidhje

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 19:01
Aleksander Vuçiq

I ftuar në “Newsline” ka qenë eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i cili fillimisht foli për takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ditën e sotme me ambasadorin rus.

Ai tha se një gjë e tillë ishte e pritshme, e po ashtu e pritshme ishte edhe mos dënimi që Rusia i bëri sulmit.

Sipas tij, Rusisë i intereson që situata mes Serbisë dhe Kosovës të jetë gjithmonë koatike dhe të ketë konflikt.

“Takimi me ambasadorin rus është i pritshëm. Më shumë se sa ajo që është diskutuar është mesazhi që ai jep, mbështetjen që ka në çdo moment nga Rusia në lidhje me Kosovën. Fakti që Rusia nuk e ka dënuar sulmin edhe kjo është e pritshme sepse qëllimi i Rusisë në lidhje me çështjen Serbi – Kosovë është që të jetë gjithmonë në këtë situatë që është sot.

Nuk ka asnjë qëllim Rusia që çështja të zgjidhet, sepse  në radhë të parë do të humbiste ndikimin mbi Serbinë dhe faktin që ka një veto në lidhje me Kosovën në OKB. Dhe për faktin që kaosi është në interes të Rusisë kudo që ndodh.

Kohët e fundit kam parë një Vuçiç që është bërë me nacionalist dhe më agresiv se sa ka qenë më parë. Një periudhë kohore dukej sikur ishte shumë pranë pranimit të marrëveshjes.

Ajo që është e veçantë në këtë rast është këmbëngulja e Perëndimit që ai të pranojë një marrëveshje” tha ai.

Vuçiç mbrëmjen e djeshme doli në një konferencë për mediat, ku ndër të tjera theksoi faktin se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, duke ashpërsuar gjuhën e tij në lidhje edhe më ndërkombëtarët.

Ai tha se organizator është Albin Kurti dhe një pjesë e ndërkombëtarëve. Në lidhje me këtë Krisafi u shpreh se  Vuçiç prej disa kohësh është bërë më agresiv dhe vjen për shkak se Perëndimi po tregohet i butë me Perëndimin.

“Nuk besoj se ka lidhje me faktorët e brendshëm. Një arsye mund të jetë fakti që Perëndimi po tregohet i butë ndaj tij, nuk po i vendos masa, duke ngritur zërin po tenton të marrë maksimumin. E dyta ka të bëjë me luftën në Ukrainë. Flet për një fitore të mundshme të Rusisë në Ukrainë.

Duke se po pret një moment më të mirë, kur Serbia të jetë në kushte më të favorshme dhe duke pasur këtë komunikim po mbyll të gjitha dyert në këto momente” u shpreh Krisafi.

Në lidhje me dialogun, eksperti tha se ai ka vdekur dhe është e kotë të vazhdohet, ndërsa theksoi se Perëndimit ka bërë gabim që i ka ulur për vite me radhë palët me shpresën se do të ketë marrëveshje.

Sipas tij zgjidhja do të ishte një konferencë ku do të uleshin dy palët, me pjesëmarrjen e SHBA dhe BE me shtetet si Gjermania, Italia e Franca, e ku Kosova dhe Serbia te detyroheshin ta pranonin një marrëveshje.

“Dialogu edhe para kësaj ngjarjeje është në një pikë të vdekur. Ka 11 vite që bëhet dialog dhe sot qëndrimet e tyre janë larg nga njëra – tjera. E thënë troç, Serbia dhe Kosova nuk kanë asnjë mundësi që të arrijnë një marrëveshje dhe ky është një faj dhe gabim shumë i madh i BE si ndërmjetësues që vazhdon të ulë në tavolinë dy shtete që nuk kanë asnjë mundësi që të bëjnë marrëveshje.

Ajo që është e nevojshme është një takim, ku SHBA dhe BE të detyrojnë Kosovën dhe Serbinë të pranojnë një marrëveshje. Ata e kanë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë. Sepse Serbia është një vend shumë i lidhur me BE, sa i përket sidomos pikëpamjes ekonomike.

Por edhe për shkak të asaj që është ndodhur në Ukrainë dhe për shkak se SHBA dhe BE kanë tentuar ta tërheqin Serbinë sa më shumë drejt kampit të tyre kanë mbajtur një qëndrim shumë të butë ndaj Serbisë.

Ajo që duhet të kuptojë Perëndimi në këtë rast është që kjo lloj politike nuk funksionon, Vuçiç nuk ka kaluar nga një kamp në kampin tjetër, përkundrazi dhe zgjidhje e kësaj çështjeje është vetëm një konferencë detyruese” tha Krisafi.

Në fund ai theksoi se ngjarje të tilla se ajo e djeshmja mund të ketë akoma nëse nuk ndërhyhet, ndërsa shtoi se situata e djeshme i leverdis edhe Vuçiç, pasi me situatën kaotike në veri ai i tregon Perëndimit  domosdoshmërinë e krijimit të Asociacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat