Avokati: Vënia e Radojçiqit para drejtësisë është sfiduese

Aktuale

Avokati: Vënia e Radojçiqit para drejtësisë është sfiduese

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 19:04
Milan Radoiçiq

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se është tejet sfiduese që Milan Radojçiq të dalë para drejtësisë Kosovare.

Bajraktari theksoi se pengesë për këtë gjë është shteti i Serbisë i cili sipas tij vazhdon të tregohet jobashkëpunues në të gjitha sferat.

“Sa i përket kryekriminelit Radojçiq, vënia e tij para drejtësisë është veprim jo pak sfidues për faktin se fqiu ynë verior akoma vazhdon të mos bashkëpunojë edhe për çështje më pak të ndjeshme se ky rast e lëre më këtij rasti”, ka thënë Bajraktari.

Bajraktari ka thënë se lidhur me këtë situatë ka bashkëpunim me ndërkombëtarët por sipas tij, është bashkëpunim i vogël.

“Unë jam optimist që organet e rendit me vigjilencën e tyre që treguan në këtë rast duke parandaluar më të keqën, në momentin e parë që haset do ta vendosin atë para përgjegjësisë”, ka thënë tutje Bajraktari.

Avokati Bajraktari e ka inkurajuar Prokurorinë Speciale të Kosovësdhe Gjykatën që të zhvillojë procedurën gjyqësore në prezencë edhe të mekanizmave dhe qarqeve që monitorojnë procesin, sipas tij “për ta dëshmuar edhe një herë para botës se sulmi i së dielës ishte i orkestruar nga Serbia”.

Këtë të martë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shpërndarë disa pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe, se ka qenë udhëheqës i grupit terrorist i cili sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Bansjkë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, një tjetër polic i plagosur e disa të lënduar.

“Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat