Fejza: Me këtë qasje të Serbisë në teren, nuk mund të ketë normalizim

Aktuale

Fejza: Me këtë qasje të Serbisë në teren, nuk mund të ketë normalizim

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 19:21
Arjeta Fejza

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, vlerësoi që me këtë qasje të Serbisë në teren, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve.

Në kuadër të diskutimit për sulmin e së dielës në fshatin Banjskë, Fejza tha se tani masat janë të domosdoshme për Serbinë.

“Është koha të flasim për natyrën e vërtetë të shtetit të Serbisë. Në këto rrethana, ne i kemi adresuar vazhdimit te Bashkimi Evropian gjendjen e terenit. U kemi thënë që Serbia me destruktivitetin e saj, tashmë edhe me organizimin kriminal, po e pengon dhe nuk mund të ketë implementim të marrëveshjeve, as hapa konkret drejt normalizimit me këtë qasje të Serbisë në teren. Masat janë të domosdoshme për Serbinë”, deklaroi Fejza.

E pyetur se ndodhitë e fundit a mund t’i shtyjnë përgatitjet e procesit zgjedhor në katër komunat veriore, Fejza tha se tani është e rëndësishme që të shihet vetëm epilogu i këtij aksioni.

“Aktualisht gjendja atje është stabile por e tensionuar, tani e rëndësishme është që të shohim epilogun e këtij aksioni dhe ditëve në vazhdim do të shohim se si do të rrjedhë procesi”, u shpreh tutje Fejza.

Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup terrorist, me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në fshatin Bajnskë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat