Cakolli: Lista Serbe s’mund të shpallet organizatë terroriste, Radojçiq do ndiqet penalisht si individ

Aktuale

Cakolli: Lista Serbe s’mund të shpallet organizatë terroriste, Radojçiq do ndiqet penalisht si individ

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 20:09
Milan Radoiçiq

Eugen Cakolli nga organizata joqeveritare KDI, ka thënë se Lista Serbe nuk mund të shpallet organizatë terroriste, edhe pse kryetari i saj Milan Radojçiq, kishte marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në veri, konkretisht në Banjskë të Zveçanit.

Ai tha se këtë nuk e lejojnë ligjet aktuale të shtetit të Kosovës, derisa shtoi se as KQZ-ja nuk ka të drejtë të çregjistrojë parti “përveç kur ato bëjnë ndryshime statutare të kundërligjshme”.

“Partitë politike nuk mund të shpallen organizata terroriste. Sipas ligjit, partive as nuk mund t’u shqiptohet si sanksion penal – pushimi i veprimtarisë. As KQZ-ja nuk ka të drejtë të çregjistrojë parti, përveç kur ato bëjnë ndryshime statutare të kundërligjshme.

Prandaj, përfshirja në akte terroriste e nënkryetarit të Listës Serbe, nuk do ta involvojnë partinë në tërësi, sado që edhe vet LS ka punuar dhe vepruar kundër shtetit të Kosovës. Rrënjët e kësaj situate janë në vitin 2013, kur ishte përshtatur legjislacioni për t’ia mundësuar Listës Serbe regjistrimi si parti”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit, “për veprat e tij, Milan Radoicic do të ndiqet penalisht si individ, udhëheqës apo pjesëtar i grupit terrorist”.

Ai su shpreh se “Lista Serbe mundet vetëm të gjykohet nga votuesit apo publiku, mbi mënyrën e trajtimit të rastit. Ideale, meqë s’jemi në rrethana normale, do të ishte që ata ta shkarkojnë Radoicicin nga pozita e nënkryetarit dhe të distancohen nga ai dhe sulmet ndaj institucioneve tona”.

Këtë të martë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar pamje ku shihej Milan Radojçiq, bashkë me terroristët serbë, brenda oborrit të manastirit të Bansjkës, në veri të Kosovës.

Radojçiq shihej në pamjet e publikuara se ishte me uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë të rënda.

Në pamje po ashtu Radojçiq duket se ishte plagosur nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat