Associated Press për situatën në Kosovë: Nuk ka gjasa që KFOR-i ta përmbushë kërkesën e Vuçiqit

Aktuale

Associated Press për situatën në Kosovë: Nuk ka gjasa që KFOR-i ta përmbushë kërkesën e Vuçiqit

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 20:22
KFOR

Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP) shkruan se nuk ka gjasa që KFOR-i të përmbushë kërkesën e sotme të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të marrë përsipër sigurinë e veriut të Kosovës nga “policia e Albin Kurtit”, të cilën Vuçiq e kërkoi mëngjesin e sotëm një bisedë me përfaqësuesit e Kuintit në Beograd.

Megjithatë, shkruan më tej AP, “nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga NATO ndaj kërkesës së Vuçiqit, por nuk ka gjasa që ajo të miratohet sepse roli primar i atyre trupave (4500 ushtarë të KFOR-it) është paqeruajtës, jo polici”.

AP shkruan se deri më tani “Vuçiq, një politikan pro-rus, ka folur shpesh kundër NATO-s dhe misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, duke e fajësuar atë se gjoja nuk i ka mbrojtur pakicat serbe nga ngacmimet nga shqiptarët e Kosovës”.

Agjencia në artikull thekson se Vuçiq ka kërkuar nga KFOR-i që të kujdeset për sigurinë e veriut të Kosovës pasi të dielën “një oficer dhe tre sulmues të armatosur u vranë në një shkëmbim zjarri njëditor midis serbëve të armatosur dhe policisë së Kosovës”. “Një nga konfliktet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008”.

Kjo “dhunë ngriti edhe më tej tensionet në rajonin e Ballkanit në një kohë kur ndërmjetësit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së po kërkojnë një marrëveshje që do të normalizonte marrëdhëniet mes ish-armiqve të luftës të Serbisë dhe Kosovës”, shkruan AP.

Agjencia thekson se Kurti “akuzoi Qeverinë e Serbisë për mbështetjen logjistike të një “njësie terroriste, kriminale, profesionale” që qëlloi mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës”, dhe “Vuçiq i mohoi këto akuza, duke thënë se personat e armatosur ishin serbë vendas të Kosovës që nuk duan të vuajnë më terrorin e Kurtit’”.

AP raporton se pas takimit të mëngjesit të sotëm me Vuçiqin, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill u tha gazetarëve se rasti i fundit i dhunës është një ngjarje shumë e rëndë dhe se “natyrisht që ka shqetësime se mund të jetë më keq”.

“Na vjen shumë keq për humbjen e jetës dhe sinqerisht dënojmë vrasjen e policit të Kosovës”, tha Hil.

Ai theksoi se “është shumë e rëndësishme të dihet se çfarë ka ndodhur, por është po aq e rëndësishme të fillojmë një proces politik dhe diplomatik, i cili mendoj se me të vërtetë duhet të forcohet në ditët dhe muajt përpara nesh”.

AP raporton gjithashtu se Vuçiq ka shkruar në Instagram se tani është “një nga momentet më të vështira për Serbinë” dhe thekson se “qeveria e shpalli të mërkurën ditë zie për shkak të ‘ngjarjeve tragjike’ – duke iu referuar të shtënave”.

Lista Srpska – “partia e serbëve të Kosovës që është në aleancë me Vuçiqin”, shkruan AP, “shpall tre ditë zie nga e marta në veri të Kosovës, ku dominojnë serbët, për shkak të tre sulmuesve të vrarë serbë”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla tha sot, sipas AP, se “udhëheqësi i sulmuesve të armatosur serbë që vranë oficerin e policisë së Kosovës, Milan Radoiçiq, është aleat i ngushtë i Vuçiqit, i cili u sanksionua nga SHBA dhe Britania e Madhe për aktivitete të supozuara kriminale”.

“Radoiçiq, një biznesmen i dyshimtë, është nënkryetari i partisë pro-Vuçiq të serbëve të Kosovës që hapi zjarr në veri të Kosovës”, shton AP, duke shtuar se ministri i Kosovës “pohoi gjithashtu se Radoiçiq ishte plagosur në të shtënat dhe po trajtohet në një spital të Beogradit”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat