Rashiq: U besoj incizimeve dhe informacioneve të Sveçlës se Radojiçiq udhëhoqi grupin terrorist që sulmoi Policinë, s’kam dyshime

Aktuale

Rashiq: U besoj incizimeve dhe informacioneve të Sveçlës se Radojiçiq udhëhoqi grupin terrorist që sulmoi Policinë, s’kam dyshime

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 21:43
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe incizimeve që publikoi sot Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku shihej krimineli serb, Millan Radojiçiq, bashkë me anëtarët e tjerë të grupit terrorist.

Rashiq ka thënë se u beson pamjeve të publikuara nga Sveçla dhe informacioneve që ai dha se Radojiçiq ishte udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Sipas Rashiq, në këto rrethana askush tjetër pos Radojiçiq s’do të mund të organizonte një grup kaq të madh.

“Nuk kam arsye mos ju besojë incizimeve dhe informacioneve që ka siguruar z.Sveçla dhe të gjithë ne e kemi përcjellë. Po shikoni është së pari sikur që e thash unë absolutisht besoj në informacionet që ka siguruar z.Sveçla, sepse ka dëshmuar disa herë…ne jo vetëm që jemi bashkëpunëtorë ose kolegë, poashtu e e di që informacionet të cilat kanë qenë të prezantuar, në këtë rast në veçanti, janë deri në këtë moment 100 përqind të sigurta. Prandaj, nuk kam dyshim për një gjë të tillë, pasi që faktet janë stabile ose konkrete dhe poashtu një element tjetër atje dihet që ka qenë një grup i organizuar dhe në këto rrethana nuk ka dikush tjetër që mund të organizojë grup kaq të madh që të bëjë një gjë të tillë. Prandaj unë pas të gjitha fakteve nuk dyshoj që ka qenë ai, por me çfarë organizimi, me çfarë ideje kanë ardh deri në atë pozitë që të shkojnë deri në Banjskë, në atë vend…kisha thanë që ka qenë një gabim jo vetëm si ide, por edhe në aspektin ushatarak dhe strategjik”, ka deklaruar Rashiq në RTV Dukagjini.

Rashiq tha se serbët lokalë e dënojnë ashpër këtë sulm dhe se po ndihen keq që diçka e tillë ka ndodhur.

“Unë e di që njerëzit e thjeshtë e kritikojnë normal një veprim të tillë. Unë e di që me shumicën e njerëzve që po flas, po ndihen keq për një gjë të tillë që ka ndodh, duke nisur prej policit që ka humbë jetën. E di që shumica e madhe e dënojnë këtë veprim të tillë, edhe pse po flitet shumë dhe po ka manipulime se ka përkrahje për veprime të tilla, por unë ju garantoj se shumica dërmuese e qytetarëve e dijnë që kjo jo vetëm që ka bë një dëm të madh humbjen e jetëve, por edhe në imazhin gjithpërfshirës të serbëve të Kosovës, në veçanti të atyre në veri dhe shumica e tyre e dënojnë ashpër një veprim të tillë”, tha Rashiq.

Ai tutje tha se të gjitha informacionet që ka prezantuar deri në këto momente Sveçla, kanë qenë 100 përqind të sigurta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat