Sulmi në veri, Arifi: Vuçiq do ta ketë të pamundur ta arsyetohet para ShBA-së e BE-së

Aktuale

Sulmi në veri, Arifi: Vuçiq do ta ketë të pamundur ta arsyetohet para ShBA-së e BE-së

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 22:23
Aleksandar Vuciq

Analisti, Dritëro Arifi, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, do e ketë të pamundur ta arsyetojë sulmin e së dielës në fshatin Banjskë.

Madje sipas tij, ky akt terrorist, nga i cili mbeti i vrarë një zyrtar policor i Kosovës, do të jetë “shuplaka” më e madhe për perëndimin.

“Vuçiq e ka të pamundur ta arsyetojë këtë, sidomos para ShBA-ve. Ky aksion është shuplakë për vetë ShBA-në, për BE-në dhe për të gjitha vlerat për të cilat i kanë mbajtur Kosovës leksione Borrelli, Lajçaku, Franca e Gjermania. Pra, ky është ataku më i madh i të gjitha vlerave që perëndimi i ka shpresuar tek Vuçiqi”, deklaroi Arifi.

Ndërkaq, sa i përket videos nga Policia e Kosovës, ku shihen terroristët serbë duke ikur nga Manastiri i Banjskës, Arifi vlerësoi se ato pamje kanë rol më të rëndësishëm se sa çdo dokument që është prodhuar kundër Serbisë.

“Ndërsa, tek videot e Policisë së Kosovës, tregon se pse duhet të investohet në teknologji të zgjuar. Prandaj, Kosova duhet të investojë shumë në teknologji. Videot e Policisë së Kosovës, realisht kanë bërë punë më shumë se sa krejt diplomacia e Kosovës, sepse i ka shpalosur të gjitha pa fjalë. Çdo dokument që e kemi prodhuar kundër Serbisë, nuk e ka vlerën e këtyre videove”, shtoi tutje Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat