Sopjani: Dita e diel në Banjskë ka ndryshuar lojën tërësisht

Aktuale

Sopjani: Dita e diel në Banjskë ka ndryshuar lojën tërësisht

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 22:32
Shkelzen Sopjani

Eksperti i sigurisë, Shkelzen Sopjani, tha se sulmi i së dielës në Banjskë, ka qenë ndryshues i lojës shumë i madh, e sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje sipas tij, dita e diel i ka dhënë Serbisë tri leksione, teksa shtoi që tani e tutje nuk do të jetë më asgjë e njëjtë në raportet Kosovë-Serbi.

“Dita e diel, ka qenë një “game changer i madh”, në të gjitha rrafshet, duket përfshirë edhe procesin e dialogut. Ka qenë një ndryshues i lojës jashtëzakonisht i madh dhe unë plotësisht besoj që asgjë nuk do të jetë e njëjtë që nga e diela, në krahasim me para ditës së diel. Kjo është shumë evidente. E diela i dha Serbisë tri leksione, sepse qëllimi i tyre nuk ka qenë thjeshtë të vijnë e ta vrasin një person, por qëllimi i tyre ka qenë ta shpallin një lloj pavarësie  të asaj pjese. Kjo dëshmohet edhe me arsenalin që është gjetur”, deklaroi Sopjani.

Më tej, Sopjani vlerësoi që grupi terrorist në Banjskë, ka nënçmuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe aftësitë e Institucioneve të Sigurisë.

“Ata gabuan në kalkulime në tri rrafshe. Rrafshi i parë gabuan në vlerësimin që e kanë pasur për reagimin e mundshëm të Policisë së Kosovës. Ata kanë nënçmuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe aftësitë e institucioneve të sigurisë, këtu duke përfshirë edhe vetë inteligjencën. Ata nuk kanë besuar që do të ketë një reagim kaq shpejtë. E dyta, kanë keq kalkuluar në reagimin e mundshëm të KFOR-it. Ndërsa në rrethanën e tretë ku kanë keq kalkuluar, është se nuk kanë besuar që nuk do të reagojë popullata civile serbe në atë pjesë, që nuk do t’u dalin krahë”, shtoi tutje Sopjani.

Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup terrorist, me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në fshatin Bajnskë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat