Kush e vrau gazetaren e BBC që ndihmoi refugjatët nga Kosova? NETFLIX flet për një vrasës serb

Aktuale

Kush e vrau gazetaren e BBC që ndihmoi refugjatët nga Kosova? NETFLIX flet për një vrasës serb

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 23:15
Jill Dando

Vrasja e Jill Dando 24 vjet më parë mbetet një nga krimet më të mëdha të pazbardhura në Britani.

Gazetarja dhe prezantuesja e “Crimewatch” u gjet e vrarë me armë zjarri jashtë shtëpisë së saj në Fulham të Londrës Perëndimore në moshën 37-vjeçare në vitin 1999. Ndërsa Netflix sot lanson serialin me tre pjesë “Who shot Jill Dando?” (Kush e vrau Jill Dandon?), shohim lojtarët kryesorë – dhe teoritë kryesore.

Një nga teoritë, siç shkruan “Mirror”, është një vrasës serb pasi ajo kishte dalë publikisht në mbështetje të refugjatëve nga Kosova gjatë luftës më 1999.

Pas apelit të saj publik që të mblidhen fonde për kosovarët refugjatë, ajo kishte pranuar një letër kërcënim nga një serb.

Lexoni më poshtë teoritë për vrasjen e saj.

Teoria e parë: Barry George

George ishte i vetmi njeri që u gjykua ndonjëherë për vrasjen e Jillit. I vetmuari George jetonte pranë shtëpisë së saj dhe kishte një histori të përndjekjes së grave dhe ofendimeve seksuale. Një kontroll në banesën e tij zbuloi një pjesë të një këllëfi arme, një sërë armësh zjarri dhe mbulime mediatike të Jillit. Kishte gjithashtu një foto të një burri që mbante një pistoletë dhe mbante një gaz-maskë, por George mohon se është ai vrasësi. Në dokumentar, George thotë: “Nuk e kisha takuar kurrë në jetën time, nuk e dija se kush ishte. Policia, pa pushim më intervistoi për këtë”.

Një grimcë e mbetjes nga e shtëna me armë zjarri në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij çoi në shpalljen e tij fajtor dhe dënimin e tij dhe ai kaloi tetë vjet burg, por pas një apeli të drejtuar nga motra e tij, Michelle Diskin-Bates, provat e të shtënave u hodhën poshtë dhe dënimi u anulua. Avokati kryesor Michael Mansfield KC, i cili mbrojti Georgen, thotë: “Dosja duhet të jetë ende e hapur. Ata duhet të kërkojnë” vrasësin.

Teoria e dytë: Bota e krimit

Nga shumë teori të thelluara, njëra është se Jilli u vra me gjakftohtësi nga një kriminel që vepronte në botën e krimit të drogës, ose një vrasës me pagesë. Noel “Razor” Smith është një ish-kriminel me 68 dënime dhe gazetar i gazetës “Inside Time” për të burgosurit.

Ai u mbajt në burgun Belmarsh në Londrën Juglindore në kohën e vrasjes. Noel thotë në dokumentar: “Duhet të jesh një lloj personi, një psikopat brutal, i sofistikuar për të ecur pas një gruaje në mes të ditës dhe për t’ia drejtuar armën në kokë. Dua të them se kjo nuk është diçka që bëhet lehtë. Ajo ishte në ‘Crimewatch’ dhe shumë nga ata kriminelë ishin në burg. Është shumë e mundur që të jetë një prej tyre që e ka bërë atë. Dukej si një punë profesionale”.

Teoria e tretë: Vrasësi serb

Vetëm 48 orë pasi u vra Jill, u shfaq teoria se prezantuesja televizive u vra nga një vrasës serb me pagesë. Njëzet ditë para vdekjes së saj, ajo kishte bërë një apel për krizën në Kosovë, i cili kishte mbledhur më shumë se 1 milion funte në 24 orë në mbështetje të refugjatëve që ikën nga Kosova.

Disa ditë para vrasjes, NATO bombardoi një stacion televiziv në Serbi, duke vrarë 16 punonjës. Agjenti i Jill, Jon Roseman tha: “Kishim shumë letra me postë, por zakonisht jo kërcënuese. Pastaj morëm një letër që përmendte apelin që ajo kishte bërë në fillim të atij muaji për Kosovën. Dukej se ishte disi kërcënuese”.

BBC kishte filluar të merrte kërcënime telefonike, duke përfshirë një nga një serb duke thënë se ai e kishte vrarë Jillin. Policia u përpoq të hetonte, por telefonata nuk mund të gjurmohej.

Teoria e katërt: Tre burrat

Policia e ktheu vëmendjen tek ata që ishin më të afërt me Jillin – i fejuari i saj Alan Farthing, ish-partneri dhe redaktori i BBC-së Bob Wheaton dhe agjenti Jon Roseman.

Detektivi Hamish Campbell thotë: “Realiteti është se shumica e njerëzve vriten nga dikush që e njohin. Njerëzit në rrethin e saj të ngushtë ishin i fejuari i saj, ish-partneri i saj i cili kishte qenë partneri i saj për shtatë vjet dhe agjenti i saj i biznesit. Ata duhej të intervistoheshin dhe eliminoheshin kryesisht nga alibia”.

Në kohën e vdekjes së saj, Jill ishte e fejuar me kirurgun gjinekolog Alan, i cili ishte mjek i familjes mbretërore, por ai nuk është intervistuar në dokumentar. Por miku dhe parukieri e Jillit, Martyn Maxey, njeriu përgjegjës për prerjen e saj ikonë të flokëve “Diana”, thotë: “Kur Jill takoi Alanin, ishte një moment që ndryshoi jetën për të, një moment që ajo e kishte menduar dhe e kishte ëndërruar për një kohë të gjatë”.

“Ajo kishte shpallur fejesën e saj. Ajo do duhej të ishte në kishë duke u martuar dhe ja që ishte në kishë duke u varrosur”. Alan u përjashtua shpejt si i dyshuar, por dyshimi ra mbi të tjerët.

Kolegja Jennie Bond thotë: “Jill u përfshi shumë herët me Bobin dhe ishte një situatë e vështirë. E dini, ajo ishte me shefin”. Pastaj Alan i tha policisë se Jilli ia kishte dhënë Bobit 35,000 funte, dhe kështu ai u pyet pas funeralit.

Bob thotë se Jill ia kishte dhënë ato para për të blerë një shtëpi të përbashkët pranë lumit, ndonëse thotë t’i ketë thënë asaj se mund ta blinte edhe vet.

“I tregova dëshmitë e policisë se nuk më duheshin aq shumë para. Ajo ishte bujare me të gjithë, përfshirë edhe mua. Ne e donim njëri-tjetrin, nuk do ta kisha menduar ndonjëherë të bëja diçka të tillë. Të humbja dikë me të cilin kisha kaluar vite të vlefshme, interesante, të rëndësishme dhe të këndshme ishte një goditje masive”.

Bob u hoq nga lista e të dyshuarve dhe analiza e kamerave të sigurisë zbuloi se askush nuk po e ndiqte Jillin. Jon, gjithashtu më vonë i hequr nga lista e të dyshuarve, kishte shkruar një libër për një agjent, klienti i të cilit u qëllua dhe u vra. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat