Si u shndërrua në bazë logjistike të terroristëve serbë “Rajska Banja”, kompleksi turistik që u financua dhe u mbështet 100% nga qeveria serbe

Aktuale

Si u shndërrua në bazë logjistike të terroristëve serbë “Rajska Banja”, kompleksi turistik që u financua dhe u mbështet 100% nga qeveria serbe

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Kosova në mëngjesin e së dielës u gjend nën sulm terrorist të mbi 30 personave që kishin hyrë nga Serbia. Të vendosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, terroristët serbë vranë policin kosovar Afrim Bunjaku dhe plagosën kolegun e tij, Alban Rashiti.

Fill pas këtij sulmi, forcat policore rrethuan Manastirin e Banjskës, aty ku sulmuesit u strehuan. Operacioni zgjati deri në orët e vonshme të së dielës dhe bilanci ishte së paku 4 terroristë të vrarë dhe disa tjerë të arrestuar. Një ditë më pas, organet shtetërore të Kosovës shfaqën një video ku dëshmohet se pjesë e sulmit dhe organizatori kryesor ishte Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, i akuzuar për një sërë veprash kriminale në Kosovë dhe i sanksionuar nga SHBA-ja.

Pas përfundimit të aksionit në terren, forcat e njësisë speciale ua lëshuan vendin hetuesve dhe njësive tjera që të “krehnin” vendin në manastir dhe rreth tij, si dhe në tërë fshatin Bansjkë. Në kuadër të këtij post-operacioni, u bastisën edhe hapësira e kompleksit të ashtuquajtur turistik “Rajska Banja”. Në këtë kompeks është gjetur ndër të tjera edhe një veturë me armë e pajisje tjera ushtarake, por edhe persona të dyshimtë, disa nga të cilët u arrestuan dhe u akuzuan për ndihmë dhënë grupit terrorist.

Pas të dhënave të fundit, rezulton se në vend që të shërbejë si resort turistik, “Rajska Banja” është shndërruar në njërën nga bazat logjistike për terroristët serbë.

Pse është me rëndësi të shtjellohet roli dhe rëndësia për Serbinë e kompleksit turistik “Rajska Banja” në Banjskë”?

Ky kompleks u financua, u rinovua dhe u promovua nga qeveria serbe, përmes Zyres për Kosovë dhe Metohi, u promoovua ndër të tjerët edhe nga vetë kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, ambasadori i Serbisë në SHBA Marko Gjuriq dhe zyrtarë tjerë serbë me ndikim.

Deri në vitin 2022 kompleksi “Rajska Banja” është udhëheqë nga Danilo Delibashiq (pjesëtar i Mbrojtjes Civile – organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës), ndërsa tash drejtor është Mashan Iliq, kurse shef i hotelit është Ivan Filimonoviq.

Ky kompleks ka filluar të rinovohet që nga fundi i vitit 2015 dhe fillimi i vitit 2016 me investimet direkte të Qeverisë së Serbisë përmes të ashtuquajturës Zyre për Kosovë.

Ky kompleks përveç tjerash ka shërbyer edhe për pritjen dhe akomodimin e delegacioneve “zyrtare” të të gjitha niveleve si dhe organizimeve të ndryshme nga i ashtuquajturi “organ i përkohshëm” i Komunës së Zveçanit nën udhëheqjen e Ivan Todosijeviq duke mos përjashtuar as organizimet tjera nga strukturat paralele që veprojnë në veri të vendit, por edhe nga Serbia.

Todosijeviq, në vitin 2016 theksonte në Zveçan se Qeveria e Serbisë po financonte dhe realizonte ndërtimin e sanatoriumit “Rajska Banja”, vendbanimin e quajtur “Lugina e diellit” dhe ujësjellësin rajonal. “Gjithçka që kemi planifikuar dhe bërë, nuk do të ishin të mundura pa shtetin tonë Serbinë, pa Qeverinë e Republikës së Serbisë, pa Zyrën për Kosovën dhe pa Dioqezën e Rashkës dhe Prizrenit, të cilët i kanë identifikuar këto projekte dhe i kanë vënë në radhë si projekte me rëndësi të madhe nacionale. Po ndërtohet edhe ‘Lugina e diellit’, një vendbanim modern për të kthyerit, që do të lidhet me infrastrukturë të plotë dhe me përmbajtjet përcjellëse”.

Ai shtonte se në këtë vendbanim do të akomodoheshin rreth 300 familje të kthyera dhe Komuna e Zveçanit do t’i ketë rreth ose 1 mijë e 500 banorë të rinj. Secila familje e kthyer, sipas tij, do ta fitojë edhe një vend pune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat