Kongresistja republikane vlerëson “dënimin” e Vuçiqit për ngjarjet në Veri, i reagon ambasadori Dugolli

Aktuale

Kongresistja republikane vlerëson “dënimin” e Vuçiqit për ngjarjet në Veri, i reagon ambasadori Dugolli

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 16:05
Kongresistja republikane Claudia Tenney

Kongresistja republikane Claudia Tenney tha se dhuna në veri të Kosovës është e tmerrshme dhe tha se e vlerëson “dënimin e shpejtë” të sulmit nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, për kryeministrin Albin Kurti ajo ka thënë se duhet të përmbushë zotimet e marrëveshjes së fundit me Serbinë dhe të themelojë Asociacionin.

“Dhuna e fundit në Kosovën veriore është e tmerrshme dhe unë sinqerisht e vlerësoj dënimin e shpejt të Aleksandar Vuçiqit. Kryeministri Albin Kurti duhet të mbajë detyrimet e tij sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për të de-përshkallëzuar tensionet”.

Kjo deklaratë e saj çoi në reagimin e ambasadorit kosovare në Washington, Ilir Dugolli, i cili tha se reagimi i Vuçiqit, të cili ajo po e duartroket, është veçse një justifikim i një sulmi terrorist.

“Me të gjithë respektin e duhur kongresiste Tenney, ajo që ju duartrokisni si dënim ishte në fakt një justifikim i paturpshëm i një sulmi terrorist”, tha Dugolli në një postim në X, duke iu drejtuar kongresistes.

Dugolli përmendi edhe vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, duke thënë se njëjtë si terroristët që kryen sulmin e fundit në Kosovë edhe vrasësit e tyre po amnistohen nga drejtësia në Serbi dhe po glorifikohen.

“Në vend që të ekstradohen apo ndiqen penalisht, dhjetëra terroristë po glorifikohen dhe mbrohen në Serbi, ashtu si janë mbrojtur nga drejtësia për më shumë se dy dekada vrasësit e vëllezërve Bytyqi, pavarësisht thirrjeve të shumta nga SHBA-ja për t’i dorëzuar ata dhe premtimet e Vuçiqit se do ta bëjë këtë”.

Dugolli e ka qartësuar se kush është pala që po shkel marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër.

“Sa i përket marrëveshjeve, ka pasur vetëm një palë që ka vepruar me mirëbesim dhe e përkushtuar për zbatimin e plotë të tyre dhe kjo sigurisht që nuk është Vuçiq dhe Serbia e tij autokratike”, tha Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat